Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, ka prezantuar sot propozimin për ndryshime dhe plotësime të Buxhetit për vitin 2026, duke theksuar se rishikimi i dytë i buxhetit është bërë në përgjigje të ndryshimeve të kushteve ekonomike dhe zhvillimeve reale deri në fund të vitit.
Sipas ministres, të ardhurat e përgjithshme me ribalancin e ri janë planifikuar në 374.2 miliardë denarë, që paraqet rreth 5.3 miliardë denarë më pak krahasuar me projeksionet paraprake. Ajo tha se një pjesë e madhe e korrigjimit lidhet me ndryshimet në tregun e energjensëve dhe masat e ndërmarra për mbrojtjen e qytetarëve dhe ekonomisë.
Ndryshime ka edhe në të hyrat tatimore. Ato janë rishikuar nga 213.3 në 209.8 miliardë denarë, ose rreth 1.6 për qind më pak. Korrigjimi më i madh është bërë te akcizat, të cilat janë ulur nga 34.1 në 30.4 miliardë denarë.
Sipas Dimitrieska-Koçoskës, ulja e të hyrave nga akcizat lidhet me masat për uljen e akcizave për benzinën dhe dizelin, me qëllim zbutjen e ndikimit të rritjes së çmimeve të derivateve të naftës mbi qytetarët dhe kompanitë.
Deficiti buxhetor, ndërkohë, mbetet i pandryshuar në 46.3 miliardë denarë, përkatësisht 4.1 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ministrja theksoi se ribalanci nuk është rezultat i problemeve me likuiditetin e Buxhetit, por një reagim ndaj kushteve të ndryshuara ekonomike. Sipas saj, prioritetet mbeten mbrojtja e qytetarëve, përmbushja e detyrimeve ligjore, ruajtja e aktivitetit ekonomik dhe disiplina fiskale.
Ribalanci i Buxhetit për vitin 2026 është miratuar një ditë më parë nga Qeveria dhe tani pritet të procedohet për shqyrtim në Kuvend.











