Trendy

Rriten çmimet globale të ushqimeve për shkak të ndërprerjeve të transportit në Hormuz

Para 49 minuta

Çmimet botërore të ushqimeve u rritën për të tretin muaj radhazi në prill, të nxitura kryesisht nga çmimet më të larta të vajit vegjetal dhe rritjet në kuotat e drithërave dhe orizit për shkak të kostove të larta të energjisë, tha sot Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).

“Çmimet botërore të mallrave ushqimore u rritën në prill për të tretin muaj radhazi për shkak të kostove të larta të energjisë dhe ndërprerjeve të shkaktuara nga konflikti në Lindjen e Afërt”, tha agjencia në një deklaratë.

Indeksi i çmimeve të ushqimeve të FAO-s ishte mesatarisht 130.7 pikë në prill, 1.6 për qind më shumë nga niveli i rishikuar i marsit dhe 2 për qind më i lartë se një vit më parë. Indeksi i çmimeve të vajit perimor të FAO-s u rrit me 5.9 për qind nga marsi në nivelin e tij më të lartë që nga korriku 2022, i mbështetur nga çmimet më të larta të vajit të palmës, sojës, lulediellit dhe rapesë.

Kryeekonomisti i FAO-s, Maximo Torero tha se sistemet globale agroushqimore vazhduan të tregonin qëndrueshmëri pavarësisht ndërprerjeve të lidhura me krizën e Ngushticës së Hormuzit ndërsa vajrat vegjetalë u përballën me rritje më të forta të çmimeve kryesisht për shkak të çmimeve më të larta të naftës dhe kërkesës më të fortë për biokarburant.

Indeksi i çmimeve të drithërave i FAO-s u rrit me 0.8 për qind nga muaji në muaj, duke reflektuar çmimet më të larta të grurit dhe misrit ndërsa Indeksi i çmimeve të orizit për të gjitha produktet u rrit me 1.9 për qind dhe çmimet e naftës bruto si dhe derivateve rritën kostot e prodhimit dhe marketingut në vendet eksportuese të orizit.

Indeksi i çmimeve të mishit i FAO-s arriti rekord të ri në prill, duke u rritur me 1.2 për qind nga marsi dhe 6.4 për qind nga viti në vit, i udhëhequr nga çmimet më të larta të mishit të gjedhit. Indeksi i çmimeve të produkteve të qumështit ra me 1.1 për qind nga marsi ndërsa indeksi i çmimeve të sheqerit ra me 4.7 për qind, i shtyrë nga pritjet për furnizime të bollshme globale.

FAO e rriti parashikimin e prodhimit global të drithërave për vitin 2025 në 3.04 miliardë tonë, 6 për qind më shumë se një vit më parë ndërsa rishikoi parashikimin e saj të prodhimit të grurit për vitin 2026 pak më të ulët në 817 milionë tonë.

Trending