Në shkollat fillore të Komunës së Tetovës vitin e ardhshëm shkollor pritet të ketë rritje të numrit të nxënësve që do të regjistrohen në klasën e parë në krahasim me vitin e kaluar, raporton Portalb.mk.
Vitin shkollor që vjen priten të regjistrohen 1025 nxënës në shkollat fillore, apo 90 më shumë e vitin e kaluar.
Megjithatë kjo mbetet të shihet si do të funksionojë në praktikë për shkak të migrimit të popullsisë jashtë vendit, si rezultat i së cilës numri i nxënësve çdo vit ka shënuar rënie në shkollat e Tetovës.
Nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës thonë se ka filluar regjistrimi dhe të dhënat nga Librat Amë tregojnë se ka rritje të numrit të nxënësve.
Validin Ademi nga ky sektor thotë se të dhënat që kanë marrë nga Drejtoria e Librave Amë në Komunën e Tetovës tregojnë se gjithsej pritet të regjistrohen 1025 fëmijë për vitin akademik 2026/2027, në 12 shkolla fillore.
“ Vitin e kaluar kishim 939 nxënës të regjistruar të përkatësisë shqiptare, maqedonase dhe turke, ndërsa këtë vit presim fëmijët e lindur në vitin 2020 dhe janar të 2021-shit”, tha Ademi.
Nga shkolla fillore “Liria”, drejtoresha Farije Kasami thotë se këtë vit do të ketë gjashtë paralele, katër në gjuhën shqipe dhe dy në gjuhën maqedonase.
“Si institucion jemi përgatitur plotësisht për këtë proces. Sipas listave që na kanë ardhur nga komuna, nuk kemi ulje të numrit të nxënësve, shifrat mbeten të qëndrueshme si vitin e kaluar”, u Kasami.
Përveç sfidës së shpërnguljes, problem mbeten edhe prindërit që duan t’i regjistrojnë fëmijët në shkolla që nuk i përkasin rajonit të tyre.
Këtë vit shkollor që po e lëmë në shkollat fillore të Tetovës u regjistruan 940 nxënës, numër afërsisht i njëjtë është edhe në shkollat e mesme.
Statistikat tregojnë se që nga viti 2015 e këndej, numri i nxënësve në Maqedoninë e Veriut është zvogëluar për mbi 28 mijë.
Ndërkaq në pesë vitet e fundit, 30 shkolla janë mbyllur në mbarë vendin.
Viti shkollor 2025/2026 në mbarë vendin filloi për 245.000 nxënës, 177.800 të shkollave fillore dhe 67,200 të mesme. Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, rreth 17 mijë nxënës kanë filluar klasën e parë dhe rreth 17 mijë të tjerë vitin e parë në shkollë të mesme.










