Deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri, ka ngritur dyshime të reja lidhur me cilësinë e ujit të pijshëm në Gostivar, duke pretenduar se problemet me ujin mund të datojnë që nga vitet 2018 dhe 2019.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Imeri ka publikuar dokumente laboratorike, për të cilat thotë se tregojnë praninë e bakterit E. coli dhe baktereve të tjera në mostrat e ujit. Sipas saj, në raportet laboratorike është konstatuar se mostrat nuk i plotësonin kriteret e kërkuara.
“7 vjet e fshehur e vërteta për ujin e Gostivarit!”, shkruan Imeri, duke ngritur pikëpyetje nëse institucionet kanë qenë të informuara për problemet me ujin edhe në vitet e mëparshme.
Deputetja e VLEN-it pretendon gjithashtu se edhe analizat e këtij viti kanë evidentuar përsëri praninë e baktereve koliforme në sistemin e furnizimit me ujë.
Imeri kërkon përgjigje se kush i ka parë raportet laboratorike, kush ka pasur përgjegjësi për të reaguar dhe pse, sipas saj, qytetarët nuk janë informuar për këto gjetje.
“Pyetja është: Çfarë ka ndodhur me ujin e Gostivarit ndër vite? Kush i ka parë këto raporte? Kush kishte përgjegjësi të reagojë? Pse qytetarët nuk janë informuar?”, shprehet Imeri.
Ajo thekson se, nëse dokumentet e publikuara konfirmohen nga institucionet kompetente, atëherë çështja nuk duhet të trajtohet vetëm si problem i vitit 2026, por si një çështje që kërkon hetim dhe sqarim për mënyrën se si është menaxhuar cilësia e ujit ndër vite.
Imeri ka kërkuar transparencë dhe përgjegjësi institucionale, ndërsa dokumentet që ka publikuar janë bërë publike edhe nga një portal informativ.











