Trendy

SHBA do ndërtojë luftanijet “Trump” me energji bërthamore

Para 1 orë

Anijet e reja luftarake të klasës Trump do të pajisen me reaktorë bërthamorë, pavarësisht kundërshtimeve të mëparshme për kostot dhe kompleksitetin e projektit

Marina amerikane ka vendosur që luftanijet e ardhshme të klasës Trump të jenë me energji bërthamore, një ndryshim i madh strategjik që pritet të rrisë ndjeshëm fuqinë luftarake, por edhe kostot dhe kompleksitetin e projektit.

Vendimi u bë publik në planin më të fundit vjetor të ndërtimit të anijeve të Marinës amerikane, ku anijet përmenden si BBGN – një akronim për luftanije me raketa të drejtuara dhe me energji bërthamore, raporton The War Zone.

Sipas planit, marina synon të ndërtojë 15 luftanije të klasës Trump mes viteve fiskale 2028 dhe 2055, me një ritëm pothuajse një anije çdo dy vite. Dy prej tyre parashikohet të porositen njëra pas tjetrës në vitet 2030 dhe 2031.

Kostoja fillestare e vlerësuar për secilën anije arrin në rreth 17 miliardë dollarë – më shumë sesa aeroplanmbajtëset më të reja të klasës Ford, të cilat kushtojnë mes 13 dhe 15 miliardë dollarë secila.

“Flota jonë meriton dhe siguria kombëtare kërkon kapacitetin më gjithëpërfshirës që mund të ofrojë një anije luftarake sipërfaqësore”, thuhet në planin e Marinës amerikane, ku luftanijet përshkruhen si platforma të projektuara për fuqi të lartë sulmuese me rreze të gjatë veprimi, komandë të avancuar dhe mbijetesë të shtuar në fushëbetejë.

Energjia bërthamore i jep anijeve pothuajse autonomi të pakufizuar lundrimi dhe një rritje të madhe të kapacitetit energjetik në bord – element kyç për armët moderne si lazerët me energji të drejtuar, sistemet elektronike të luftës dhe raketat hipersonike.

Sipas Marinës amerikane, anijet do të kenë kapacitete të avancuara raketore, përfshirë raketa konvencionale dhe bërthamore, sisteme hipersonike, armë lazerike, top elektromagnetik (railgun), dy topa detarë 5-inç dhe sisteme mbrojtjeje të afërt.

Çdo luftanije pritet të peshojë rreth 35 mijë tonë – afro trefishi i një shkatërruesi modern të klasës Arleigh Burke – dhe të arrijë shpejtësi mbi 30 nyje detare. Gjithashtu, ato do të shërbejnë si qendra komanduese të avancuara për operacione detare.

Vendimi vjen vetëm pak javë pasi zyrtarë të lartë të Marinës kishin minimizuar mundësinë që luftanijet Trump të ishin me energji bërthamore.

Trending