Trendy

VLEN: BDI po e turpëron faktorin shqiptar me sulme ndaj partnerëve strategjikë si SHBA dhe BE

Para 51 minuta

VLEN dënon ashpër deklaratën skandaloze të deputetit të BDI-së, i cili në një intervistë për media nacionale deklaroi se “Ajo që u ofrohet ndërkombëtarëve, ata e gëlltisin”. Një gjuhë e tillë nuk është vetëm e papërgjegjshme politikisht, por përbën edhe ofendim të rëndë ndaj aleatëve tanë strategjikë: Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Shprehim shqetësim serioz për këtë qasje arrogante të BDI-së ndaj partnerëve ndërkombëtarë, të cilët për dekada kanë qenë mbështetësit më të mëdhenj të paqes, stabilitetit dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve në rajon.

VLEN nuk mendon si BDI. Për ne, SHBA-ja, BE-ja dhe përfaqësitë diplomatike të vendeve perëndimore janë partnerë të pazëvendësueshëm në rrugën euro-atlantike të vendit.

Populli shqiptar historikisht ka qenë dhe mbetet populli më pro-amerikan dhe më pro-evropian në Ballkan. Shqiptarët nuk harrojnë mbështetjen vendimtare të SHBA-së dhe BE-së në momentet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Prandaj, askush nuk ka të drejtë që në emër të shqiptarëve të përdorë gjuhë përçmuese ndaj aleatëve tanë strategjikë.

Kjo deklaratë vetëm se e konfirmon atë që VLEN e ka denoncuar prej kohësh: se brenda BDI-së ekziston një mendësi anti-perëndimore dhe një nostalgji e rrezikshme ndaj projekteve serbo-ruse në rajon. Nuk është rastësi që pikërisht BDI përmes Bujar Osmanit e solli Sergej Lavrovin në Shkup në kohën kur e gjithë Evropa demokratike kishte izoluar Rusinë për agresionin ndaj Ukrainës. Nuk është rastësi as mbështetja e verbër e BDI-së për projektin “Open Balkan”, një projekt që u perceptua gjerësisht si platformë për zgjerimin e ndikimit serbo-rus në rajon.

A nuk është e njëjta parti, funksionarët e së cilës përfunduan në listën e zezë te Departamenti i Shtetit të SHBA-së? A nuk janë këto dëshmi konkrete se ndërkombëtarët jo vetëm që nuk mashtrohen, por veprojnë kur përballen me korrupsion dhe abuzim me pushtetin? Atëherë, kujt po i drejtohen këto deklarata: ndërkombëtarëve apo elektoratit që përpiqen ta mbajnë në iluzion?

Sot, kur BDI po përballet me krizën më të thellë politike dhe me humbjen e besimit te shqiptarët, po del në pah fytyra e saj e vërtetë: sulme ndaj Perëndimit, gjuhë fyese ndaj aleatëve dhe panik nga humbja e pushtetit.

VLEN u kërkon falje aleatëve tanë ndërkombëtarë për këtë gjuhë të papranueshme dhe ofenduese të BDI-së. Shqiptarët nuk identifikohen me këtë mendësi. BDI ka humbur kompasin politik dhe moral, dhe në mungesë të ideve e mbështetjes qytetare, po sulmon edhe ata që historikisht kanë qenë pranë shqiptarëve dhe interesave tona strategjike.

Trending