Nesër, më 9 maj, në Ditën e Europës, VLEN-i bëhet një! Pesë parti shkrihen në një subjekt të vetëm! Por dy emra nuk do të jenë pjesë e partisë së re, ndonëse mbajnë poste të resorëve deri në rikonstruimin e qeverisë – ministri Fatmir Limani dhe Zëvendëskryeministri Arben Fetai. Për njërin nga krerët e VLEN-it Izet Mexhiti kjo nuk përbën asnjë pengesë për bashkimin, pasi bëhet fjalë për individë.
“Kur flasim për subjekte, nuk ka largim por ka shkrirje në VLEN dhe kjo nuk ka të bëjë me individë, me vet faktin që VLEN po vendos një model të ri demokratik me bashkë-kryetarë që se ka njohur ky vend, por e njohin shtetet Evropiane, pra VLEN po bën Kongresin e Bashkimit, i vlerave të reja Evropiane, prandaj mbahet edhe me 9 Maj, pra nuk është përqendruar te individi”, tha Izet Mexhiti.
Se çfarë do të bëhet me Limanin e Fetain që s’janë më në VLEN, me sa duket do të dihet më vonë, në rikonstruimin e paralajmëruar të qeverisë.
“Ne tani jemi të fokusuar në VLEN, sapo ta përmbyllim këtë proces me kryeministrin jemi marr vesh parimisht që do të ketë rikonstruim të qeverisë, por vetëm si parim, nuk i kemi diskutuar as principet apo nëse do të mbetemi në këto resorë që jemi apo do të ketë ndryshime të resorëve. Kur të hymë në atë fazë do të diskutojmë dhe do të jeni të informuar ju si media dhe qytetarët”, deklaroi Mexhiti.
Dera e Qeverisë nuk është e mbyllur as për subjektet e tjera politike. Shpesh është përfolur hyrja e ASH-së së Ziadin Selës në ekzekutiv, por këta të fundit janë deklaruar se nuk janë të interesuar të bëhen pjesë e përbërjes qeveritare nga rikonstruimin eventual.
Maji ose qershori janë përmendur si data opsionale për rioknstruim edhe nga kryeministri Hristijan Mickoski. Ai sot tha se nuk i duhen në ekzekutiv politikanë nga pushtetet e së shkuarës. Por, që mbetet në qëndrimin që zgjedhje të parakohshme parlamentare mund të ketë në pranverën e 2027-ës.










