Opens in a new tab
Trendy
Tetova1Tetova1
Lajmi

“U hodha nga ballkoni për të shpëtuar”- Rrëfimet tronditëse të banorëve pas shpërthimit në Elbasan

“U hodha nga ballkoni për të shpëtuar”- Rrëfimet tronditëse të banorëve pas shpërthimit në Elbasan

Banorët e zonës ku ndodhi shpërthimi i fuqishëm në një apartament në Elbasan kanë rrëfyer momentet e tmerrit, frikës dhe panikut që përjetuan. Ata tregojnë se shpërthimi ishte jashtëzakonisht i fortë, ndërsa dëmet e shkaktuara në ndërtesë janë të konsiderueshme.

Një prej banorëve, i cili jeton në pallatin e prekur nga shpërthimi, ka treguar se është detyruar të hidhet nga ballkoni për të shpëtuar, pasi dera e tij i kishte rënë në kokë. Ai rrëfen momentet e vështira, teksa djali i tij po kthehej nga shkolla dhe kërkonte ndihmë.

“Kam gjysmë ore që kam dalë (tregon shenjat e lëndimeve). Më ra në kokë dera e ballkonit, djali po vinte nga shkolla. Djali bërtiste. Imagjino të dëgjosh fëmijën të thotë ‘Ndihmë!’ dhe të mos dilja dot. U hodha nga ballkoni më pas. Dëmi është deri në 80 milionë lekë. Para një muaji i hodha prapë lekë”, tha banori i ndërtesës së prekur.

Ndërkohë, edhe fqinjët kanë përshkruar fuqinë e shpërthimit, të cilin e kanë krahasuar me një bombë, duke treguar se janë tronditur nga zhurma dhe dëmet e shkaktuara.

“Jetoj te pallati tjetër. Ishte një shpërthim shumë i madh, si bombë. Nuk e di nëse ka të lënduar”.

Një tjetër banor, që jeton pranë ndërtesës së dëmtuar, tregoi se fillimisht dëgjoi shpërthimin dhe më pas, kur mbërriti në vendngjarje, pa dëmet e shkaktuara.

“Shtëpinë e kam këtu afër. E dëgjuam shpërthimin, ishte diçka e madhe. Erdhëm këtu dhe pamë se ajo ishte shembur. Nuk e dimë se çfarë ka qenë. Erdhi policia dhe zjarrfikëset. Ishte edhe vendi i ngushtë, ku nuk hyn dot asgjë”.

Edhe një tjetër dëshmitar e përshkroi ngjarjen si të tmerrshme, duke theksuar përmasat e mëdha të dëmeve materiale.

“Ishte e tmerrshme, ishte një shpërthim i fuqishëm. Nga sa shohim, dëmi është i madh. E frikshme ajo që shohim”.

Një tjetër banor tregoi se nga fuqia e shpërthimit është tronditur edhe banesa e tij.

“U trondit shtëpia, shumë i madh ishte shpërthimi. Ne po rrinim dhe thamë: ‘Çfarë u bë?’ Shumë e frikshme.”

Komentet

Komentet e para i shqyrton redaksia.

Bëhu i pari që komenton.

Shkruaj komentin e parë

Më shumë lajme