Komisioni Europian rrëzoi interpretimin e Edi Ramës për protestat nme flamingove në qershor dhe ato të studentëve që kulmuan në tetor, duke identifikuar si shkaqe të tyre mungesën e transparencës, korrupsionin, problemet mjedisore dhe pakënaqësinë ndaj qeverisjes, pikërisht ato shqetësime qytetare që kryeministri është përpjekur t’i paraqesë si pjesë të një komploti të organizuar nga forca të errëta, armiq të brendshëm dhe interesa të huaja, ruse apo iraniane.
Në progresraportin për Shqipërinë, të publikuar më 4 nëntor, Komisioni Europian i përshkroi protestat që kanë përfshirë vendin që prej majit si një mobilizim qytetar të paprecedentë në dekadat e fundit, duke i lidhur drejtpërdrejt me problemet e qeverisjes.
“Ky është mobilizimi më i madh qytetar në Shqipëri që nga tranzicioni demokratik i vendit, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës që iu bashkuan protestës në kulmin e saj”, thuhet në raport.
Brukseli identifikoi edhe shkakun fillestar të protestave, që më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë.
Lexo edheStudentët në protestë për të 16-ën ditë në Shqipëri, kërkojnë dorëheqjen e Ramës“Protestat u nxitën nga shqetësimet mjedisore lidhur me punimet e ndërtimit në peizazhin e mbrojtur të Pishë Poro – Nartës dhe u shndërruan në një lëvizje më të gjerë që kërkon transparencë, llogaridhënie, përpjekje kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë”, shkruhet në dokument.
Në pjesën e posaçme për funksionimin e demokracisë, Komisioni e shtjelloi më tej këtë vlerësim, duke evidentuar se protestuesit kërkuan transparencë në dhënien e lejeve për projektet e mëdha të ndërtimit, përfshirjen e komuniteteve vendase në vendimmarrje dhe përgjigje për problemet ekonomike e sociale.
“Protestat u shndërruan në një lëvizje më të gjerë pakënaqësie ndaj qeverisë dhe partisë kryesore të opozitës”, thuhet në raport, ku përmenden gjithashtu kostoja e jetesës dhe mungesa e investimeve në arsim e shëndetësi.
Pra, për Komisionin Europian, protestat nuk ishin produkt i një organizate të fshehtë, por shprehje e pakënaqësive konkrete të qytetarëve ndaj mënyrës se si qeveriset vendi. Madje, Brukseli evidentoi faktin se ajo drejtohej edhe kundër forcës kryesore të opozitës.
Dallimi është thelbësor me interpretimin politik që bën Edi Rama që i shpjegon ato përmes ndërhyrjeve të jashtme dhe armiqve të brendshëm,
Edhe në kapitullin për mjedisin, raporti e lidh drejtpërdrejt shpërthimin e revoltës me politikat shtetërore.
“Mangësitë në qeverisjen mjedisore dhe në zbatimin e ligjit lidhur me mbrojtjen e natyrës, përfshirë ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura dhe zgjatjen e afatit të ligjit për investimet strategjike, kanë çuar në përkeqësim të mbrojtjes së natyrës dhe kanë kontribuar në protestat që nisën në maj 2026”, konstaton Komisioni.
Por si i përshkruante Edi Rama protestat, nga më masivet që janë zhvilluar ndonjë herë në Tiranë kundër një kryeministri?
Më 23 qershor, në një intervistë për televizionin francez France 24, kryeministri i lidhi protestat me ndërhyrjet e Iranit dhe me interesat e konkurrentëve rajonalë të Shqipërisë.
“Ka shumë ndërhyrje, qoftë ndërhyrje nga Irani, me të cilin kemi qenë në një luftë kibernetike për 3 vjet, ose ndërhyrje nga konkurrentët në të gjithë rajonin që nuk e duan këtë zhvillim në Shqipëri”, deklaroi Rama.
Ai pranoi se kishte edhe shqetësime të tjera të një pjese të popullsisë, por këmbënguli se qeveria ishte zgjedhur për të realizuar projektet që kishte premtuar.
Në një tjetër intervistë për POLITICO më 9 qershor, Rama e lidhi kundërshtimin ndaj investimit të Jared Kushner me një fushatë dezinformimi dhe antisemitizmi, për të cilën akuzoi Iranin.
“Ai (Irani) është pjesë e kësaj, sepse nuk është askush tjetër i interesuar të nxisë narrativin e antisemitizmit”, u shpreh Rama, duke iu referuar pretendimeve për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza në Shqipëri.
Kështu, ndërsa protestuesit kërkonin transparencë për lejet e ndërtimit dhe mbrojtjen e një zone natyrore, kryeministri e zhvendoste debatin te konfliktet gjeopolitike, ndërhyrjet iraniane dhe antisemitizmi.
Me përshkallëzimin e protestave studentore në tetor, lista e armiqve të identifikuar nga Rama u zgjerua. Në një dalje publike më 18 tetor, kryeministri e lidhi protestën me lëvizjen Antifa dhe me ndikimin ideologjik rus. Duke iu referuar ideologut rus Aleksandër Dugin, Rama deklaroi: “Kjo është një dorë e huaj”.
Më 23 tetor shkoi edhe më tej, duke akuzuar krimin e organizuar dhe forca të huaja për financimin e dhunës gjatë protestave.
“Të dhënat e organizimit të grupeve si pjesë e rrjetit ANTIFA, rrjeti i terrorit urban që në emër të neo-komunizmit ka vendosur të futet në jetët e njerëzve përmes dhunës, janë në duart e policisë”, deklaroi ai.
Në raportin e Komisionit Europian nuk gjendet asnjë prej këtyre shpjegimeve konspirative si shkak i mobilizimit qytetar. Aty përmenden problemet mjedisore, korrupsioni, mungesa e transparencës, kostoja e jetesës dhe investimet e pamjaftueshme.
Për Brukseli situata është e thjeshtë. Nuk ka nevojë për armiq të jashtëm për të kuptuar pse qytetarët dolën në rrugë. Në logjikën e demokracive liberale, protesta është një instrument legjitim i pjesëmarrjes politike dhe një sinjal që qeveria duhet ta lexojë seriozisht.
Në logjikën e një mendjeje autoritare si ajo e Ramës, protesta shihet si kërcënim ndaj pushtetit personal. Pakënaqësia qytetare, si cënim i sigurisë kombëtare. Ndërsa protestuesit si instrumente të forcave të errta, si armiq të vendit, që synojnë rrëzimin e pushtetit./ Lapsi.al
Më shumë për këtë
Stresi braktis protestën: Po largohem se ju nuk doni ta rrëzoni RamënShqiperi · 3 ditë më parë
Tensione te Ministria e Arsimit, studentët përzënë deputetët e PD-së nga protestaShqiperi · 4 ditë më parë
“E dërguam me kursimet tona për kurim në Itali”, motra e Erion Vishkullit “nxjerr blof” Ramën: E çoi familja dhe miqtë, jo shteti!Shqiperi · 1 javë më parë
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












