Opens in a new tab
Trendy
Tetova1Tetova1
Lajmi

Si u bë 22 Nëntori festë zyrtare në vitin 2007 me nismën e PDSH-së

Si u bë 22 Nëntori festë zyrtare në vitin 2007 me nismën e PDSH-së

Në prag të 118-vjetorit të Kongresit të Manastirit, vëmendja e opinionit politik dhe publik është rikthyer pas në kohë, te viti 2007, kur Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe fitoi për herë të parë statusin e festës zyrtare shtetërore në Maqedoninë e Veriut. Në fokus të kësaj retrospektive është roli dhe kontributi i drejtpërdrejtë i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), e cila asokohe ishte pjesë e pushtetit ekzekutiv, transmeton KOHANEWS.

 

Ndryshimet në Ligjin për Festat (të publikuara në Gazetën Zyrtare nr. 18/07), të cilat e sanksionuan 22 Nëntorin si ditë jopune për shqiptarët në vend, u miratuan në një periudhë kur në koalicionin qeveritar me VMRO-DPMNE-në e Nikolla Gruevskit ndodhej PDSH-ja e drejtuar nga Menduh Thaçi. Sipas dëshmive dhe arkivave të asaj periudhe, propozimin konkret në mbledhjen e qeverisë për përfshirjen e kësaj date në kalendarin zyrtar të festave e kishte paraqitur ministri i atëhershëm i Arsimit dhe Shkencës, Sulejman Rushiti, kuadër i PDSH-së.

 

Lexo edhe“Alta Banka Manastir” në shitje më 30 nëntor, ja sa miliona euro në lojë, 6 banka në garë

Për funksionarët dhe mbështetësit e kësaj partie, ky vendim mbetet një nga arritjet më të rëndësishme identitare dhe institucionale të qeverisjes së tyre. Sipas qëndrimeve të shprehura nga PDSH-ja ndër vite dhe të rikthyera në debat edhe këto ditë, futja e 22 Nëntorit në ligj e bëri këtë festë të pakontestueshme dhe të mbrojtur nga shteti, duke e nxjerrë shënimin e saj nga kornizat partiake apo organizimet e ngushta.

 

Ky hap ligjor i vitit 2007 e bëri Maqedoninë e Veriut vendin e parë në rajon që e njohu zyrtarisht Ditën e Alfabetit si festë shtetërore – një status që Shqipëria e miratoi me vendim qeverie vetëm shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, në janar të vitit 2024.

 

Ndërsa në Manastir e në mbarë vendin mbahen manifestimet e radhës për 22 Nëntorin, ky vështrim prapa në vitin 2007 shërben për të kujtuar rrugën ligjore përmes së cilës kjo datë historike u shndërrua në festë të garantuar me ligj për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut./KOHANEWS

Komentet

Komentet e para i shqyrton redaksia.

Bëhu i pari që komenton.

Shkruaj komentin e parë

Më shumë lajme