Radiologjia është ndër specialitetet ku përdorimi i AI është më i përhapur
Përdorimi gjithnjë e më i gjerë i Inteligjencës Artificiale në mjekësi mund të krijojë një rrezik të ri ligjor për mjekët: ata mund të përballen me më shumë padi për neglizhencë profesionale në rastet kur vendosin të mos ndjekin rekomandimet e një sistemi AI.
Sipas një studimi të publikuar në revistën NEJM AI, juritë e simuluara kishin më shumë gjasa të mbanin përgjegjës mjekët kur vlerësimi i tyre binte ndesh me atë të Inteligjencës Artificiale. Kjo ndodh pavarësisht faktit se edhe sistemet AI mund të gabojnë. Megjithëse pacientët mund të jenë ende skeptikë për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në spitale dhe klinika, ekziston një perceptim i përhapur se teknologjia është më e saktë se njeriu dhe se rrallë gabon.
Kjo mund t’i vendosë mjekët përballë një dileme: nëse një algoritëm sinjalizon një problem shëndetësor, ndërsa mjeku nuk e konstaton atë, vendimi për të mos ndjekur rekomandimin mund të përdoret më vonë kundër tij në një proces gjyqësor.
Për të shmangur rrezikun ligjor, disa mjekë mund të zgjedhin të kërkojnë ekzaminime shtesë, edhe kur ato nuk janë domosdoshmërish të nevojshme. Një praktikë e tillë mund të rrisë kostot shëndetësore dhe ankthin e pacientëve.
ÇFARË TREGOI STUDIMI?
Studiuesit përdorën skenarë të simuluar gjyqësorë për të analizuar ndikimin që ka Inteligjenca Artificiale në vlerësimin e përgjegjësisë së mjekëve dhe në përmbushjen e standardit ligjor të kujdesit ndaj pacientit. Në një nga rastet e shqyrtuara, bëhej fjalë për një hemorragji cerebrale të dallueshme në një skaner CT, e cila çoi në dëmtime të pakthyeshme të trurit. Kur sistemi AI e kishte identifikuar hemorragjinë, ndërsa radiologu jo, 72,9% e pjesëmarrësve në jurinë e simuluar mbajtën anën e paditësit.
Një skenar tjetër kishte të bënte me një rast të kancerit të mushkërive që nuk ishte identifikuar në një skaner CT dhe që përfundoi me vdekjen e pacientit. Kur Inteligjenca Artificiale sinjalizoi praninë e kancerit, ndërsa mjeku nuk e kishte konstatuar, 78,7% e pjesëmarrësve u pozicionuan në favor të paditësit.
Megjithatë, studiuesit vunë re se numri i pjesëmarrësve që fajësonin mjekun ishte më i ulët kur atyre u paraqiteshin të dhëna mbi shkallën e gabimeve të sistemit AI. Kjo tregon se informimi për kufizimet dhe pasaktësitë e teknologjisë mund të ndikojë në mënyrën se si vlerësohet përgjegjësia profesionale.
RREZIKU I MJEKËSISË MBROJTËSE
Autori kryesor i studimit, Michael Bernstein, profesor i asociuar në Shkollën e Mjekësisë Warren Alpert të Universitetit Brown, paralajmëroi se adoptimi i inteligjencës artificiale mund të sjellë edhe pasoja të padëshiruara.
Sipas tij, një prej shqetësimeve kryesore është shtimi i të ashtuquajturës “mjekësi mbrojtëse”, ku mjekët kërkojnë ekzaminime dhe analiza shtesë për të ulur rrezikun e padive, edhe në rastet kur këto procedura mund të mos jenë të domosdoshme.
Radiologjia është ndër specialitetet ku përdorimi i AI është më i përhapur, veçanërisht për analizimin e imazheve mjekësore dhe identifikimin e anomalive. Por pikërisht sepse mosidentifikimi i një problemi mund të ketë pasoja fatale, kjo fushë mbetet edhe ndër më të ekspozuarat ndaj padive për neglizhencë profesionale.
MJEKËT KËRKOJNË MBROJTJE LIGJORE
Debati për përgjegjësinë ligjore po shtrihet edhe përtej radiologjisë. Studime të tjera kanë vënë në dukje se, kur një mjek shihet si personi që kontrollon përdorimin e teknologjisë, përgjegjësia priret të përqendrohet tek ai dhe jo te kompanitë që zhvillojnë sistemet AI, institucionet shëndetësore që i përdorin apo autoritetet rregullatore.
Shoqata Amerikane e Mjekësisë (AMA) ka kërkuar këtë muaj miratimin e legjislacionit të ri në nivel federal dhe shtetëror, për të mbrojtur mjekët nga përgjegjësia ligjore në rastet kur produktet e inteligjencës artificiale shkaktojnë dëme te pacientët.
Organizata kërkon gjithashtu që kompanitë e teknologjisë të kenë sigurim të përshtatshëm për përgjegjësinë ligjore dhe të bëjnë transparente kufizimet e produkteve të tyre, si dhe të dhënat mbi performancën dhe saktësinë e sistemeve.
Studiuesit kanë konstatuar se verifikimi i dyfishtë i rezultateve të Inteligjencës Artificiale mund të ulë rrezikun e padive për mjekët dhe të ndikojë në perceptimin e jurive për përmbushjen e detyrimit profesional të kujdesit. Megjithatë, mbetet e hapur pyetja nëse mjekët do të kenë kohën dhe burimet e nevojshme për të kontrolluar në mënyrë të pavarur çdo rezultat të gjeneruar nga AI.
Zhvillimi i kësaj teknologjie po e vendos sistemin shëndetësor përballë një sfide të re: si të përfitojë nga saktësia dhe shpejtësia e Inteligjencës Artificiale, pa e zhvendosur në mënyrë të padrejtë përgjegjësinë për gabimet e saj te mjekët që e përdorin.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












