Futbollistët e Shkëndijës janë fitues të derbit të javës së 16-të në Tetovë, pasi që mundën FC Shkupin me 2-0, falë golave nga Adonis Shala dhe Besart Ibraimi.
Ndërkohë në përballjet e tjera, Gostivari mundi Vardarin me 2-0 dhe vazhdon luftën për kreun e renditjes. Me të njëjtin rezultat Rabotniçki ishte më i mirë se sa Tikveshi.
Kampioni aktual, Struga Trim Lum mundi Pelisterin me 1-0 dhe me të njëjtin rezultat, Brera Strumicë, poashtu në transfertë, mundi Besën. Sileksi ishte më efikas, duke mundur Voska Sportin me 4-1.
Mirëpo fokusi i kësaj xhiroje ishte në Tetovë. Për herë të parë pas shumë vitesh tifo grupet e dyja skuadrave shqiptare Shkëndija dhe Shkupi, Ballistët dhe Shvercerat shtrinë dorën e pajtimit dhe sollën atmosferë sportive në tribuna, duke ia kushtuar këtë festë, 28 nëntorit ditës së flamurit.