Një aksion i madh policor është duke u zhvilluar brenda territorit të vendit në bashkëpunim me Interpolin dhe Europolin për kapjen e pjesëtarëve të një grupi kriminel që merrej me falsifikimin e parave. Nga prokuroria themelore publike thonë se bëhet fjalë për një hetim ndërkombëtar, për të cilin momentalisht nuk mund të bëjnë të ditura shumë detaje me qëllim të zhvillimit të mëtutjeshëm të procedurave.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE
“Po vijojnë aktivitetet e një grupi të përbashkët hetimor ndërkombëtar, i cili në territorin tonë koordinohet nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Vijojnë veprimet policore dhe aktivitetet të tjera. Nuk mund të ndahen detaje të mëtejshme për momentin për të mos ndërprerë procedurat. Pas përfundimit të aktiviteteve operative, institucionet e përfshira do të informojnë në mënyrë të koordinuar publikun”.
Sipas informacioneve jozyrtare bëhet fjalë për aksion për zbulimin e parave të falsifikuara, aktivitetet janë fokusuar në kapjen e eurove të falsifikuara dhe zbulimin e një rrjeti kriminal ndërkombëtar që vepron në disa vende. Ka dyshime se shtypshkronja për euro dhe dollar të falsifikuara është në RMV.
Ndërkaq policia serbe në kuadër të këtij aksioni ndërkombëtar ka arrestuar sot gjashtë persona në Novi Sad, Novi Pazar, Suboticë dhe Sombor. Gjatë arrestimit të tyre është gjetur një sasi e madhe e parave të falsifikuara. Kërkimet janë duke u zhvilluar në disa qytete brenda teritorit të RMV-së dhe rajonit.