Ndikimi i “Botës Serbe” ka nisur të marrë trajta konkrete në Maqedoninë e Veriut dhe ky fakt po ngjall shqetësim jo vetëm tek partitë shqiptare, por edhe në Bashkimin Evropian. Në një draft-rezolutë të Parlamentit Evropian, e mbështetur në raportin e eurodeputetit Thomas Vajc, vihet në pah se koncepti “Bota Serbe” ka efekte destabilizuese në vend dhe në të gjithë rajonin.
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër, duke ngritur alarmin për një përfshirje të rrezikshme të strukturave proruse dhe proserbe nëpërmjet Qeverisë në Shkup. “Në këtë dokument të rëndësishëm thuhet se Bota serbe po zhvat sovranitetin e Maqedonisë së Veriut dhe të rajonit, dhe për këtë ka përkrahje dhe promovim nga përfaqësues të Qeverisë në Shkup”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Rezoluta përfshin edhe një kërkesë për hapjen e arkivave të UDBA-s dhe KOS-it në Maqedoni dhe Serbi – si hap kyç drejt zbardhjes së së kaluarës totalitare.
Në mënyrë alarmuese, dokumenti thekson se:
“Maqedonia e Veriut mbetet objekt i operacioneve armiqësore për ndikim të huaj… veçanërisht përmes mediave në gjuhën serbe, të cilat përhapin narrativa të Kremlinit dhe gëzojnë ndikim të konsiderueshëm.”
Më tej, vihet në pah ndikimi në rritje i rrjeteve ruse dhe propagandës kineze, përfshirë një hua të dyshimtë nga Hungaria, me origjinë të supozuar kineze.
ASH paralajmëron se:
“Përfshirja e thellë e strukturave të ‘Botës Serbe’ përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për orientimin euroatlantik të shtetit dhe për bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.”
Partia shqiptare kërkon mobilizim të forcave demokratike:
“Ne i bëjmë thirrje të gjitha forcave progresive, partive politike, shoqërisë civile dhe mediave të lira që të qëndrojnë në anën e demokracisë dhe të kundërshtojnë çdo përpjekje për instrumentalizim të shtetit në funksion të agjendave të huaja destruktive.”
Në anën tjetër, Kryeministri Hristijan Mickoski ka zgjedhur të injorojë raportin dhe thotë:
“E hedh poshtë një konstatim të tillë dhe nuk besoj se një gjë e tillë është e përfshirë në ndonjë raport zyrtar të Bashkimit Evropian, sepse do të ishte shumë naive.”
Ai thekson se që nga ardhja e qeverisë së re, iniciativa e “Ballkanit të Hapur” është e vdekur, duke shtuar:
“Nëse ndonjëherë më parë ka ekzistuar iniciativa Ballkani i Hapur, të paktën prej kur është kjo qeveri, një gjë e tillë nuk ekziston.”
Sipas analistit Ramadan Ramadani, ndikimi serb është më kompleks dhe afatgjatë sesa thjesht një projekt politik:
“Ndikimi i Serbisë dallon edhe nga kohëzgjatja edhe për nga llojllojshmëria… ka pakicë serbe, ndikim kulturor, afërsi shpirtërore me Kishën Ortodokse dhe pjesëmarrje në Ballkanin e Hapur.”
Ndërsa Sylejman Mehazi jep një panoramë edhe më dramatike:
“Nëse qeveria e RMV-së do bënte një referendum për t’iu bashkuar Serbisë, më pak 60% të maqedonasve do kishin votuar pro-Serbisë.”
Ai shkon më tej duke thënë:
“Qytetarët maqedonas më shumë e duan Serbinë sesa shtetin e tyre të RMV-së… me zemër e me shpirt janë më serbë se vetë serbët.”
Mehazi thekson se nëpër shtëpi, dasma e kafe të maqedonasve dëgjohet muzikë serbe, ndërsa prindërit edukojnë fëmijët në frymë anti-shqiptare – një pasqyrë tronditëse e realitetit të polarizuar etnik dhe politik.
Në përfundim, Mehazi ndan Maqedoninë e Veriut në dy rryma politike:
• Njëra proserbe dhe prorusë, e lidhur me Ballkanin e Hapur.
• Tjetra proamerikane, e përfaqësuar sipas tij nga Mickoski, VLEN dhe LVV e Kurtit.
Raporti i eurodeputetit Thomas Vajc do të diskutohet në seancën plenare të 8 korrikut në Strasburg, ndërkohë që tensionet për ndikimin e jashtëm në Maqedoninë e Veriut vetëm sa po thellohen.










