Trendy

Weitz: Pa reforma serioze, Maqedonia e Veriut mbetet jashtë procesit dhe humb mjetet evropiane

Para 7 orë

Raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Thomas Weitz, ka porositur se respekti i ndërsjellë midis vendeve anëtare dhe vendeve kandidate është baza e bashkëpunimit tonë në Bashkimin Evropian. I pyetur për rrugën evropiane të shtetit tonë, Weitz në një intervistë për “Euronews Bulgaria”, ka theksuar se vetëm së bashku, veçanërisht në këto kohë gjeopolitike, vetëm së bashku si popuj evropianë, mund të mbrojmë mënyrën tonë evropiane të jetesës dhe vlerat tona evropiane. Ai shtoi se kjo vlen për të gjitha qeveritë, përfshirë edhe qeverinë e Maqedonisë së Veriut, duke vënë në dukje se gjatë vitit të fundit nuk është parë asnjë përparim dhe asnjë reformë. Sipas tij, nuk bëhet fjalë vetëm për fillimin e negociatave, por edhe për agjendën reformuese dhe Planin e Rritjes, duke paralajmëruar se nëse vendi nuk i zbaton reformat e nevojshme, 47 milionë eurot nuk do t’i takojnë asaj, por do të shkojnë për vendet fqinje.

Raportuesi, ndër të tjera, tha se reformat më të rëndësishme për anëtarësim në BE janë ato në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe sigurimit të sistemeve gjyqësore të pavarura që garantojnë drejtësi për qytetarët dhe bizneset, gjë që është kyçe edhe për zhvillimin e vendit. Ai theksoi se pa një status të duhur të sundimit të ligjit, vendi nuk do të tërheqë investitorë të huaj. Duke e cilësuar korrupsionin si një kancer të shoqërive, Weitz u shpreh se mbetet të shihet nëse institucionet dhe autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë vullnetin politik dhe hapësirën për të vepruar, pasi përmirësimet në këtë drejtim janë të domosdoshme dhe të cekura qartë në raport.

Ai gjithashtu shprehu shpresën se përparimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit do të shërbejë si stimul për skenën politike në Maqedoni, duke vënë re se mbështetja e qytetarëve për BE-në po rritet sepse ata kërkojnë siguri, zhvillim ekonomik, infrastrukturë dhe shëndetësi më të mirë. Weitz përfundoi se nëse Maqedonia e Veriut angazhohet seriozisht për reforma, ende ka një shans për t’u bashkuar me grupin e Shqipërisë dhe Malit të Zi gjatë këtij mandati të Parlamentit Evropian, megjithëse për momentin ai nuk sheh vullnet të mjaftueshëm politik nga qeveria, veçanërisht për pavarësinë e gjyqësorit, por premtoi se do të vazhdojë të mbështesë rajonin për të ecur përpara.

Trending