Kohë më parë Komuna e Tetovës ka pranuar Planin e Mobilitetit 2026-2036 që ka të bëjë riorganizimin e trafikut në Tetovës për t’i dhënë fund kaosit në këtë qytet. Në këtë plan thuhet se Tetova, si një nga qytetet më të rëndësishme në Maqedoninë e Veriut, përballet me sfida serioze në aspektin e transportit urban si rritje e numrit të automjeteve, ndotje e ajrit, mungesë e infrastrukturës për këmbësorë dhe çiklistë, si dhe mbingarkesë në rrjetin rrugor. Në Planin e Mobilitetit më tej qëndron se Tetova ka potencial të madh për të zhvilluar forma alternative të transportit, përfshirë përdorimin e biçikletave dhe shfrytëzimin e automjeteve elektrike, duke reduktuar varësinë nga veturat private pasi që shumica e popullsisë e përdorin veturën si mjetin kryesor të transportit.
Ndërkohë, përqindja e përdoruesve të transportit publik dhe biçikletës mbetet shumë e ulët, thuhet mes tjerash në këtë plan. Problemi se pse shumë pak qytetarë përdorin biçikleta, sipas gjetjeve të këtij plani, lidhet kryesisht me hapësirën urbane të dominuar nga automjetet, mungesën e sigurisë dhe infrastrukturën jo-funksionale, ndërsa rrjeti ekzistues i çiklizmit është shumë i pakët, dhe plot pika të rrezikshme për shkak të numrit të madh të automjeteve të cilat qarkullojnë në rrugët kryesore.
“Çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në rrugë vazhdojnë të mbesin shqetësuese dhe cenojnë qarkullimin e këmbësorëve dhe çiklistëve, sidomos në afërsi të shkollave dhe zonave tjera atraktive në të cilat prania e këmbësorëve dhe çiklistëve është e madhe. Tetova është qytet kompakt- mund të përfitojnë nga potencialet e ecjes dhe çiklizmit, sidomos në pjesën më atraktive të qytetit. Mundësi për fuqizimin e transportit publik urban, duke vendosur korsi të veçanta për autobusë me qëllim të rritjes së efikasitetit të transportit publik dhe uljes së shkallës së motorizimit. Mund të planifikohet infrastrukturë e rrjetit rrugor e cila akomodon të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në radhë të parë për lëvizje të lirë dhe të sigurt të këmbësorëve dhe biçikletave”, qëndron në një pjesë të këtij plani për sa i përket sigurisë në trafik.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, është shprehur se ka formuar një grup të posaçëm që do të merret me implementin e masave që dalin nga ky plan.“Janë paraparë masa dhe dinamika e realizimit të tyre, ne si Komunë kemin formuar një grup të veçantë që përbëhet nga Sektori për Veprimtari Komunale, Ndërmarrja e Parkingjeve, aty do përfshihen edhe nga Sektori për Punë të Brendshme, i cili do të përcjellë implementimin e masave të cilat kanë dalë nga Plani i Mobilitetit. Plani i jonë është që në afat edhe më të shkurtër se ajo që është paraparë në Planin e Mobilitietit, të realizohet pjesa më e madhe veçanërisht e parkingjeve që janë paraparë”, deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Ndryshe, ky Plan i Mobilitetit është përgatitur nga Instituti INSI nga Kosova dhe ka 120 faqe ku në mënyrë të detajuar janë evidentuar problemet me rrjetin e trafikut rrugor në Tetovë dhe jepen sugjerime që kanë të bëjnë me ndërtimin e vendeve të reja të parkimit, zgjerimin e rrugëve dhe vazhdimin e bulevardeve. (koha.mk)










