-A do të vazhdojë bashkëpunimi me ministrin Limani edhe përkundër marrëdhënieve të përkeqësuara me VLEN-in? -Po, po e shihni që ministri Limani është me mua!
Përgjigje e shkurtër, e më pas buzëqeshje edhe në fytyrën e kryeministrit, por edhe në fytyrën e ministrit. Kjo është mënyra se si Mickoski iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse Fatmir Limani edhe më tej do të jetë ministër në Qeveri, pasi u bë e qartë se ai më nuk është pjesë e Lëvizjes BESA dhe VLEN-it, me propozimin e të cilëve ishte vendosur në funksion.
Me këtë përgjigje, kryeministri sikur i zgjidhi dilemat rreth pozitës së Limanit dhe pritjeve të udhëheqësisë së VLEN-it se, për shkak të marrëdhënieve të përkeqësuara me të, ai nuk do të jetë më pjesë e pushtetit ekzekutiv.
Njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, deklaroi se për shkak të marrëdhënieve të Limanit me kryeministrin Mickoski, ka pasur biseda të shumta telefonike dhe kërkesa për sqarim nga strukturat partiake.
Ministri i Politikës Sociale Fatmir Limani para një kohe, i pyetur për këtë, deklaroi se për momentin është “ministër i popullit” në kuadër të qeverisjes mes VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së, por nuk konfirmoi nëse do të mbetet në funksion pas rikonstruktimit të paralajmëruar të Qeverisë, i cili pritet të ndodhë kah mesi i muajit qershor.
Ndryshe, Limani në periudhën e fundit është parë edhe në kontakte më të afërta në ngjarje me përfaqësues të Bashkimi Demokratik për Integrim.










