Emiratet e Bashkuara Arabe kanë tentuar të bindin Arabinë Saudite dhe Katarin që t’u bashkoheshin sulmeve hakmarrëse kundër Iranit gjatë luftës së fundit në rajon, por përpjekja është refuzuar nga të dy vendet.
Kështu raporton Bloomberg, duke cituar burime të njohura me çështjen.
Sipas raportimit, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, zhvilloi një seri telefonatash me liderë rajonalë, përfshirë princin e kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, menjëherë pas sulmeve të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndaj Iranit më 28 shkurt.
Burimet e cituara nga Bloomberg pretendojnë se Abu Dhabi kërkoi koordinim rajonal për goditje ndaj Iranit, por Arabia Saudite dhe Katari nuk pranuan të përfshiheshin.
Raportimi vjen vetëm pak ditë pasi Wall Street Journal raportoi se Emiratet kishin kryer në mënyrë të fshehtë sulme brenda territorit iranian gjatë luftës.
Ndërkohë, Reuters, duke cituar burime të veta, raportoi se edhe Arabia Saudite kishte kryer disa sulme ajrore kundër objektivave iraniane, të cilat dyshohet se ndodhën në fund të marsit.
Një prej burimeve të cituara nga agjencia i përshkroi këto goditje si sulme “sy për sy”, në përgjigje të sulmeve të mëparshme ndaj Arabisë Saudite.
Sipas raportimeve, sulmi i atribuuar Emirateve të Bashkuara Arabe ndodhi në muajin prill, afërsisht në të njëjtën periudhë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shpalli armëpushimin.










