Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për zgjatjen e armëpushimit me 45 ditë të tjera, me qëllim lehtësimin e përparimit në negociatat politike.
Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, “ndërprerja e armiqësive” e nisur më 16 prill është zgjatur. Departamenti është gati të “rifillojë rrugën politike të negociatave” më 2 dhe 3 qershor.
Njoftimi vjen në një moment tensioni në terren. Zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite për gjuhën arabe ka dërguar një alarm urgjent banorëve të qytetit libanez të Tiros, duke akuzuar Hezbollahun, grupin militant të mbështetur nga Irani, për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.
“Më 14 dhe 15 maj, Shtetet e Bashkuara pritën në takim dyditor bisedimesh shumë produktive midis Izraelit dhe Libanit. Ndërprerja e armiqësive e 16 prillit do të zgjatet me 45 ditë për të mundësuar përparim të mëtejshëm. Departamenti i Shtetit do të rifillojë negociatat politike më 2 dhe 3 qershor. Përveç kësaj, një negociatë sigurie do të nisë në Pentagon më 29 maj me delegacione ushtarake nga të dy vendet. Shpresojmë që këto diskutime do të çojnë përpara paqen e qëndrueshme midis dy vendeve, njohjen e plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit dhe vendosjen e sigurisë së vërtetë përgjatë kufirit të tyre të përbashkët”, tha Tommy Pigott.
Ushtria izraelite (IDF) ka shënuar me ngjyrë të kuqe një zonë të qytetit dhe ka urdhëruar banorët që ndodhen aty të evakuohen menjëherë dhe të qëndrojnë të paktën 300 metra larg zonës së shënuar.
Ndërkohë, burime izraelite raportojnë se Izraeli po përgatitet për një ripërtëritje të mundshme të konfliktit me Iranin. Sipas një zyrtari të lartë izraelit, transmetuar nga Kanali 12 dhe Times of Israel, përgatitjet për një raund të ri luftimesh me Teheranin janë në fazë të avancuar.
Zgjatja e armëpushimit pritet të krijojë një dritare kohore për përpjekjet diplomatike, por paralajmërimet ushtarake izraelite në Tiro tregojnë se situata në terren mbetet e brishtë dhe e ndjeshme ndaj çdo incidenti.










