Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar sot se shanset janë “50 me 50” që Shtetet e Bashkuara të arrijnë një marrëveshje me Iranin ose të rifillojnë sulmet ushtarake ndaj tij.
Në një intervistë për Axios, Trump tha se do të takohej më vonë gjatë ditës me ekipin e tij negociator për të shqyrtuar përgjigjen më të fundit të Teheranit.
Sipas Trump, në takim do të marrin pjesë i dërguari special Steve Witkoff, Jared Kushner dhe nënpresidenti JD Vance. Ai shtoi se vendimi për hapat e ardhshëm pritet të merret deri të dielën.
“Besoj se do të ndodhë njëra nga dy gjërat: ose do t’i godas më fort se kurrë më parë, ose do të nënshkruajmë një marrëveshje të mirë”, tha Trump për Axios.
Presidenti amerikan theksoi se çdo marrëveshje duhet të përfshijë çështje kyçe si pasurimi i uraniumit dhe e ardhmja e rezervave ekzistuese të uraniumit të Iranit.
Megjithatë, sipas raportimit të Axios, këto çështje nuk pritet të zgjidhen plotësisht në fazën aktuale të negociatave. Propozimi që po diskutohet parashikon një marrëveshje paraprake për ndalimin e luftës dhe një periudhë 30-ditore negociatash më të detajuara.
Në zhvillimet diplomatike, marshalli pakistanez Asim Munir, i cili ka ndërmjetësuar mes palëve, u largua nga Teherani të shtunën pas takimeve me zyrtarë të lartë iranianë. Pakistani deklaroi se ka “progres inkurajues drejt një mirëkuptimi përfundimtar”, edhe pse marrëveshja nuk është finalizuar.
Trump hodhi poshtë pretendimet se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është i shqetësuar për mundësinë e një marrëveshjeje të pafavorshme me Iranin. Ai pranoi se brenda administratës amerikane ka qëndrime të ndryshme: disa favorizojnë marrëveshjen diplomatike, ndërsa të tjerë mbështesin rifillimin e operacioneve ushtarake.










