Në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit, blerësit ankohen se çmimet në treg ndryshojnë çdoherë kur afrohen festat, ndërsa sipas tyre shteti as që i mbron ata kur ndodh shtrenjtimi i vazhdueshëm i produkteve ushqimore.
“Të them të drejtën si blerës, zakonisht për festa se a është për Ramazan apo Pashkë, gjithmonë rriten çmimet e shitjes në treg dhe ashtu e shfrytëzojnë njerëzit dhe për atë që është e përditshme çdo prind dërgon në shtëpi dhe nuk pyet për çmim. Çfarë bën shteti sa i përket të drejtave të konsumatorëve? Të them të drejtën nuk e di a janë të interesuar ndopak, ata merren me probleme tjera e nuk u intereson se qytetari sa paguan apo nuk paguan”, tha një qytetar.
“Çmimet në treg kush si të mundet, dikush i rrit çmimet e dikush frikësohet mos e dënojnë dhe i mbajnë çmimet e njëjta, të drejtat e konsumatorit dikush i respekton e dikush jo, ndonjëherë do të marrësh ndonjë produkt dhe të del jo siç duhet, nuk ta pranon ta kthesh pra të kthehet në afatin një muaj, ndërsa dikush e pranojnë, ndërsa me të drejtë duhet të kthehet produkti nëse nuk je i kënaqur por kjo është”, tha një qytetare.
“Mendoj se jo, shteti ynë nuk mbron askënd por vetëm veten e mbrojnë, çmimet janë katastrofë, çdo ditë çmime të reja”, u shpreh një tjetër qytetare.
Ministrit i ekonomisë Kreshnik Bekteshi thotë se duhet të rriten kapacitetet e institucioneve inspektuese në vend me të vetmin qellim që në mënyrë të drejtë të zbatojnë zgjidhjet ligjore që mbrojnë konsumatorët.
“Kemi zgjidhje ligjore e cila e harmonizuar thuajse plotësisht me atë të BE-së dhe janë zbatuar thuajse të gjitha direktivat e BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, na mbetet që të rrisim kapacitetet e institucioneve inspektuese në vend me të vetmin qellim që në mënyrë të drejtë të implementojnë zgjidhjet ligjore dhe kjo do të jep mundësinë që të mbrohet konsumatori”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit, ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve, si dhe me mbrojtjen e tyre nga çdo praktikë abuzive e tregtarëve. /Alsat.mk