Deputetja e koalicionit VLEN, Saranda Imeri Stafai, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetes së Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti, të bëra sonte në emisionin “Click Plus”, ku kjo e fundit akuzoi VLEN-in se ka pranuar kalimin e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat vetëm për të nisur bisedimet për rikonstruimin e Qeverisë dhe për të mbetur pjesë e saj, përcjell tetova1
Dauti deklaroi se VLEN është përballur me kërcënime për zgjedhje të parakohshme dhe se aktualisht po zhvillohet një betejë për pushtet.
Pas këtyre deklaratave, reagoi deputetja Saranda Imeri Stafai, e cila kritikoi ashpër Dautin dhe rolin e saj në politikë.
Postimi i plotë i Saranda Imeri Stafait:
“E shoh se sonte Ilirja qenka vërsulur shumë ndaj VLEN-it.
Unë vetëm mund t’i them se, përveç faktit që mandatin e mori falë BDI-së, pasi në zgjedhjet e fundit kishte vetëm 777 vota bashkë me kryetarin e saj, e vetmja gjë që ajo dhe ministri i saj i Drejtësisë bënë ishte të merren me kthimin e Gruevskit nga Hungaria dhe të votojnë ligjin e ‘branitellave’.
Punë të mbarë, ‘luaneshë’”, ka përfunduar Imeri Stafai.

Deklarata e plotë e Ilire Dautit në “Click Plus”:
“VLEN ka pranuar që të kalojë ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, vetëm për të filluar bisedimet për rikonstruimin e Qeverisë, vetëm e vetëm për të vazhduar të jenë pjesë e Qeverisë. VLEN është kërcënuar me zgjedhje të parakohshme dhe në këtë situatë po bëhet luftë për pushtet.”/tetova1.mk










