Trendy

VLEN: Pse nuk u ndërtua 24 vite kanalizimi në Zajaz, a përfunduan paratë në xhepat e funksionarëve të BDI-së?

Para 3 orë

VLEN akuzoi BDI-në se gjatë 24 viteve në pushtet nuk arriti të ndërtojë një rrjet funksional kanalizimi për banorët e Zajazit dhe Kërçovës, ndërsa ngriti dyshime se dështimi i projektit lidhet me korrupsionin dhe keqpërdorimin e fondeve publike dhe evropiane.

Në konferencën për media, drejtori i Drejtorisë për Librat Amë dhe njëherësh përfaqësues i VLEN-it, Faton Fazliu, tha se, ndonëse BDI-ja kishte ministra, drejtorë, kryetarë komunash dhe kontroll mbi institucionet përgjegjëse, nuk arriti ta zgjidhte problemin e kanalizimit as në vendlindjen e saj. Sipas tij, qytetarët sot përballen me një projekt të papërfunduar, kanale të hapura dhe rrezik për mjedisin jetësor.

“Njëzet e katër vite pushtet nuk u mjaftuan për të ndërtuar kanalizim për banorët e Zajazit. Paratë ekzistonin, fondet evropiane ishin siguruar, por projekti dështoi për shkak të korrupsionit, jo për mungesë mjetesh,” deklaroi Fazliu.

Ai iu referua kallëzimit penal të ngritur nga Policia Financiare për dyshime mbi keqpërdorimet gjatë realizimit të projektit për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimit në Kërçovë, duke theksuar se dëmi ndaj buxhetit arrin mbi 127 milionë denarë, ndërsa janë humbur edhe rreth 9.47 milionë euro nga fondet IPA.

Sipas Fazliut, projekti nuk dështoi për mungesë fondesh, pasi Bashkimi Evropian kishte siguruar mjetet financiare, por për shkak të një garancie bankare të dyshimtë, angazhimit të nënkontraktorëve pa autorizim dhe mungesës së kontrollit institucional.

VLEN ngriti gjithashtu pyetje lidhur me raportimet se në projekt kanë marrë pjesë kompani të lidhura me Drin Ahmetin, nipin e Ali Ahmetit, duke kërkuar sqarime se cilat kompani janë angazhuar, çfarë punësh kanë realizuar, sa mjete kanë përfituar dhe nëse janë përzgjedhur në përputhje me procedurat ligjore.

Në përfundim, VLEN kërkoi nga Prokuroria Publike dhe Policia Financiare ta zgjerojnë hetimin, të publikojnë listën e të gjithë nënkontraktorëve dhe të përcaktojnë nëse ekzistojnë lidhje politike, biznesore apo familjare ndërmjet personave përgjegjës dhe strukturave të BDI-së.

“Zajazi meriton kanalizim. Qytetarët meritojnë përgjigje. Dhe përgjegjësit duhet të japin llogari,” deklaroi drejtori i Drejtorisë për Librat Amë dhe përfaqësuesi i VLEN-it, Faton Fazliu.

Trending