Integrimi në Bashkimin Evropian është shpresa e vetme për shpëtim nga emigrimi masiv dhe zbrazja demografike e vendit. Ky është mesazhi kryesor që Arben Taravari, lider i Aleancës për Shqiptarët (ASh), dërgoi në paraqitjen e tij të fundit në podkastin “Pocetna Presmetka”, ku paralajmëroi për pasojat serioze nëse vendi mbetet jashtë proceseve eurointegruese, ndërkohë që shtetet fqinje po përparojnë.
Duke folur për situatën aktuale gjeopolitike dhe njoftimet se Shqipëria dhe Mali i Zi, ka të ngjarë të bëhen anëtarë të plotë të BE-së, deri në vitin 2028, Taravari vuri në dukje realitetin me të cilin po përballet Maqedonia kur bëhet fjalë për pasaportat e huaja.
“Sot ka dyqind mijë maqedonas që kanë pasaporta bullgare. Ju garantoj se nëse Shqipëria hynë në BE, çdo shqiptar nga këtu, do të aplikojë për një pasaportë shqiptare. Çfarë do të mbetet në Maqedoni?”, pyeti zoti Taravari.
Ai theksoi se qytetarët po përballen me një pesimizëm të madh dhe se marrja e pasaportave bullgare, greke apo shqiptare, nuk bëhet për ndonjë arsye tjetër, por vetëm për të pasur një pasaportë evropiane, që do t’u mundësojë atyre të qarkullojnë lirshëm, të punojnë kudo që të duan dhe të kthehen kur të duan.
“A jemi të vetëdijshëm se pranimi dhe anëtarësimi i plotë në BE është një lloj shprese për njerëzit që të qëndrojnë në vend? A është patriotizëm ajo që po bëjmë?”, shtoi zoti Arben Taravariai, duke kritikuar ngecjen në integrimin evropian.










