Goditje e rëndë për të gjithë ata që synojnë emigrimin drejt Gjermanisë! Qeveria gjermane ka marrë vendimin drastik për të shkurtuar përgjysmë kuotat e punësimit për qytetarët nga Ballkani Perëndimor. Nga 50.000 raste që lejoheshin si limit vjetor, kjo shifër pritet të ulet frikshëm në vetëm 25.000 persona në vit duke filluar nga viti 2027. Ky vendim penalizon direkt mijëra kërkues pune nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të rajonit, të cilët shfrytëzonin të ashtuquajturën “Rregullore e Ballkanit Perëndimor” për t’u punësuar pa pasur nevojë për kualifikime të larta apo diploma specifike.
Zyrtarisht, Berlini e arsyeton këtë lëvizje të papritur me rritjen e shkallës së papunësisë brenda Gjermanisë dhe nevojën për të mbrojtur tregun e brendshëm. Megjithatë, analistët dhe mediat ndërkombëtare si Deutsche Welle ngrenë pikëpyetje, pasi nuk ka asnjë dëshmi se punëtorët ballkanikë po u marrin vendet e punës gjermanëve. Edhe pse kushtet e tjera bazë nuk ndryshojnë, ku mjafton vetëm një kontratë pune, gara për të siguruar një vizë pune tani do të jetë dy herë më e egër dhe me fatlumë shumë më të paktë.
Për ata që mbeten jashtë kësaj kuote, rrugët e tjera bëhen akoma më të vështira sepse për shtetasit jashtë BE-së kërkohet me ngulm diplomë e njohur ose përvojë e certifikuar pune. “Karta e Mundësive” (Chancenkarte) mbetet në fuqi, por ajo kërkon kritere strikte si njohja e gjuhës gjermane dhe pikë të grumbulluara përpara se të hysh në territorin gjerman pa një vend pune të siguruar. Me këtë vendim, epoka e emigrimit masiv dhe të thjeshtësuar drejt Gjermanisë po shkon drejt fundit, duke krijuar një ngushtim të frikshëm të mundësive për të gjithë rajonin.









