Nënkryetarja e VLEN-it dhe deputetja në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Mimoza Musa, gjatë qëndrimit të saj në Strasburg në kuadër të programit European Union Visitors Programme (EUVP), ka zhvilluar takim me eurodeputetin Vladimir Prebilič, përcjell tetova1
Musa ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Ajo ka theksuar se anëtarësimi i vendit në BE është një përcaktim strategjik dhe interes i qytetarëve.
Postimi i plotë:
“Në kuadër të European Union Visitors Programme (EUVP), të cilin po e ndjek në Bruksel dhe Strasburg, pata kënaqësinë të zhvilloj një takim të frytshëm me eurodeputetin Vladimir Prebilič, me të cilin diskutuam për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Në këtë takim theksova se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një aspiratë politike, por një përcaktim strategjik dhe një interes i qytetarëve tanë. Vendi ynë ka dëshmuar vazhdimisht përkushtim ndaj reformave, harmonizimit me standardet evropiane dhe ndërtimit të institucioneve demokratike. Tani është koha që edhe Bashkimi Evropian të ruajë kredibilitetin e politikës së zgjerimit, duke vlerësuar progresin mbi bazën e meritës dhe kritereve të qarta.
Ballkani Perëndimor është pjesë e pandashme e Evropës. Integrimi i rajonit nuk është vetëm investim në zhvillim ekonomik, por edhe garanci për stabilitet, siguri dhe paqe afatgjatë në të gjithë kontinentin.
Mbështetja, këshillat dhe përvoja e eurodeputetit Vladimir Prebilič janë një vlerë e shtuar në këtë rrugëtim. Besoj se përmes dialogut, bashkëpunimit dhe vendosmërisë do ta afrojmë edhe më shumë Maqedoninë e Veriut drejt vendit që i takon natyrshëm familjes evropiane”, ka shkruar nënkryetarja e VLEN-it, Mimoza Musa./tetova1.mk













