Trendy

Haxhiu: Për 20 vite nuk u bë asnjë hap për ujësjellësin në Radushë, amendamenti është pa bazë teknike

Para 4 orë

Deputetja e VLEN-it, Feride Haxhiu, ka kritikuar BDI-në për amendamentin e propozuar në Kuvend për ndarjen e 200 milionë denarëve për projektin e ujësjellësit në Radushë, duke vlerësuar se kërkesa nuk mbështetet në dokumentacion teknik dhe përgatitje konkrete.

Haxhiu tha se propozuesit nuk e njohin gjendjen reale në terren, pasi sipas saj, për projektin nuk ekziston as projekt teknik dhe as dokumentacion i përgatitur.

“Si kërkohen mjete për realizim, kur nuk janë kryer as procedurat më elementare?”, u shpreh Haxhiu gjatë fjalimit të saj në Kuvend.

Ajo theksoi se problemi i Radushës nuk lidhet vetëm me ndërtimin e disa kilometrave gyp, por është një çështje më komplekse, pasi burimi i ujit ndodhet në territorin e një komune tjetër dhe kërkon koordinim ndërinstitucional.

Deputetja e VLEN-it akuzoi BDI-në se gjatë viteve në pushtet nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e këtij problemi.

“Për 16 vite që udhëhoqët Komunën e Sarajit dhe për më shumë se 20 vite që ishit pjesë e pushtetit qendror, nuk përgatitët projekt, nuk siguruat dokumentacion dhe nuk ofruat zgjidhje”, deklaroi Haxhiu.

Ajo shtoi se pas marrjes së mandatit janë ndërmarrë veprime konkrete në Radushë, duke përmendur funksionalizimin e Ndërmarrjes Publike të Komunës së Sarajit për grumbullimin e mbeturinave dhe pastrimin e deponive të egra në bashkëpunim me institucionet përkatëse.

Sipas Haxhiut, tashmë janë krijuar grupe pune mes institucioneve përkatëse për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për furnizimin me ujë të Radushës, Semenishtës dhe Çajlanes.

“Radusha nuk ka nevojë për amendamente populiste. Ka nevojë për projekte serioze, institucione që punojnë dhe rezultate konkrete”, tha Haxhiu./Zyrtare.net

Trending