Trendy

Gjendja alarmante në Gostivar, reagon kryetari i qytetit Valbon Limani

Para 3 orë

Kryetari i Komunës së Gostivarit u ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë ndalimin e përkohshëm të përdorimit të ujit për pije dhe përgatitjen e ushqimit, deri në publikimin e rezultateve zyrtare të analizave laboratorike.

Sipas tij, analizat e rregullta të kryera nga NP “Komunalec” deri më tani kanë treguar se parametrat e ujit kanë qenë brenda vlerave të lejuara me ligj. Pas denoncimit të rastit, Prokuroria Publike, policia dhe institucionet e tjera kompetente kanë kryer kontrolle shtesë dhe kanë marrë mostra të reja për analiza.

Me rekomandim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë është vendosur ndalim i përkohshëm i përdorimit të ujit për pije dhe gatim, si masë parandaluese për mbrojtjen e shëndetit publik.

Lidhur me pretendimet për përzierje të ujërave të zeza me ujin e pijshëm, Komuna njofton se, sipas informacioneve të NP “Komunalec”, në lokacionin e përmendur nuk ekziston rrjet kanalizimi. Megjithatë, theksohet se të gjitha pretendimet janë duke u verifikuar dhe se vetëm institucionet kompetente do të japin vlerësimin përfundimtar.

Po ashtu, bëhet e ditur se deri më tani nuk ka asnjë dëshmi zyrtare mjekësore apo laboratorike që shqetësimet e raportuara në lukth të jenë shkaktuar nga uji i ujësjellësit të qytetit.

Komuna thekson se është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet kompetente dhe se rezultatet zyrtare do të publikohen menjëherë sapo të jenë në dispozicion. Qytetarët ftohen të qëndrojnë të qetë, të respektojnë masat e përkohshme dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare.

Trending