Pushtuesit izraelitë vendosën një pikë të re vendbanimi ilegal në tokë palestineze në qytezën Yasuf, në lindje të Salfit, në veri të Bregut Perëndimor, e treta e këtij lloji në provincë brenda dy ditësh.
Kryetari i këshillit të Yasufit, Juma Abdel Fattah, tha për Agjencinë Anadolu se pushtuesit izraelitë ngritën pikën e re në verilindje të qytezës, duke vendosur një tendë në zonën Al-Nasba, rreth 50 metra larg shtëpive palestineze.
Ai tha se zona është përballur vazhdimisht me sulme nga pushtuesit izraelitë dhe se dy shtëpi palestineze në këtë zonë janë kërcënuar me prishje nga autoritetet izraelite.
Abdel Fattah paralajmëroi se pika e re është pjesë e një politike izraelite “për të imponuar fakte në terren dhe për të shtrënguar kufizimet ndaj banorëve”.
Ai tha se kjo është pika e tretë e vendbanimit e ngritur nga izraelitët në provincën Salfit gjatë dy ditëve të fundit.
Pikat e vendbanimeve janë vende të ngritura nga pushtuesit izraelitë, zakonisht duke vendosur shtëpi të lëvizshme ose tenda në tokë palestineze, të cilat më pas shndërrohen në vendbanime të përhershme ilegale me mbështetjen e qeverisë izraelite.
OKB-ja e konsideron Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, territor palestinez të pushtuar dhe thotë se të gjitha aktivitetet e vendbanimeve izraelite atje janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.
Javët e fundit, Bregu Perëndimor ka përjetuar një përshkallëzim të sulmeve të pushtuesve izraelitë ndaj palestinezëve dhe pronave të tyre, mes akuzave nga palestinezët dhe organizatat izraelite e ndërkombëtare të të drejtave të njeriut se ushtria izraelite i mbron pushtuesit izraelitë dhe në disa raste merr pjesë edhe në sulme.
Sipas Komisionit Palestinez për Rezistencën ndaj Kolonizimit dhe Murit, pushtuesit izraeltië kryen 3.488 sulme ndaj palestinezëve dhe pronave të tyre gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Sulmet përfshinin sulme ndaj personave, pronave dhe tokave, ngritjen e pikave të reja të vendbanimeve dhe pengimin e fermerëve për të hyrë në tokat e tyre.










