Një zyrtar policor nga Sektori për Punë të Brendshme i Shkupit dyshohet se ka kryer kqepërdorim të detyrës me çka e ka dëmtuar buxhetin e shtetit të paktën 85 mijë denarë, pasi pagesat kundravajtëse nuk i merrte përmes POS terminalit por u merrte para në dorë, raporton Portalb.mk.
Prokuror publik nga Departamenti i Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të Kryera nga Persona me Autorizime Policore dhe Pjesëtarë të Policisë së Burgjeve në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po zhvillon procedurë penale kundër një zyrtari policor nga Departamenti për Siguri në Komunikacionin Rrugor të SPB Shkup, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vazhdueshme “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare”.
“Nga provat e siguruara deri më tani rezulton se, në periudhën nga prilli deri në korrik të këtij viti, në Shkup, i dyshuari, në cilësinë e personit zyrtar, me dashje ka ndërmarrë disa veprime të lidhura në kohë, të cilat përbëjnë kryerje të përsëritur të së njëjtës vepër penale. Duke shfrytëzuar të njëjtën marrëdhënie të vazhdueshme, të njëjtat rrethana dhe kushte të ngjashme, ai ka keqpërdorur pozitën dhe autorizimet e tij zyrtare, përkatësisht nuk e ka kryer detyrën zyrtare, duke përfituar për vete dhe për persona të tjerë dobi pasurore të kundërligjshme, me ç’rast i ka shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vlerë prej të paktën 85.500 denarësh”, informoi Prokuroria Publike.
Prokuroria sqaron se gjatë kryerjes së detyrave të punës në NP “Parkingu i Qytetit ”, për një pjesë të personave të cilëve më parë u ishte tërhequr automjeti me automjetin special “merimangë” për shkak të parkimit të parregullt, ai përpilonte procesverbale për kundërvajtje në komunikacion me urdhërpagesë kundërvajtëse.










