Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me të kaluarën e 26-vjeçarit afgan Sharif Ahmadzai, i cili akuzohet nga autoritetet greke për vrasjen e 38-vjeçares britanike Elizabeth Jane Ross. Zhvillimet vijnë një ditë pasi gjykata vendosi masën e paraburgimit ndaj tij, ndërsa vetë i riu zgjodhi të mos japë shpjegime para hetuesve, duke ushtruar të drejtën për të heshtur.
Në të njëjtën kohë, një çift amerikan që e strehoi dhe e mbështeti gjatë adoleshencës në ishullin e Lesbosit ka reaguar për herë të parë, duke deklaruar se ndihet i tronditur nga akuzat që rëndojnë mbi të.
Në një intervistë për Daily Mail, të dhënë në kushte anonimiteti, ata kujtojnë një djalë të ri që, sipas tyre, nuk kishte shfaqur kurrë prirje për dhunë. Gruaja, e cila e konsideron ende si birin e saj, tha se e ka të pamundur të besojë se ai mund të jetë autori i një krimi të tillë.
“Kur mora vesh lajmin mendova se ishte një gabim. Ende shpresoj të zgjohem dhe të kuptoj se gjithçka ka qenë një makth. Jam e shkatërruar”, është shprehur ajo mes lotësh.
Historia e njohjes së tyre nis në vitin 2016, kur çifti amerikan ndodhej në Lesbos si pjesë e një misioni humanitar në kampin e refugjatëve në Moria. Ahmadzai ishte atëherë vetëm 16 vjeç dhe punonte si përkthyes për organizatat e ndihmës.
Pas një zjarri që shkatërroi tendën ku jetonte, çifti e mori në shtëpinë e tyre së bashku me dy të rinj të tjerë. Dy të fundit u larguan më vonë, ndërsa Sharifi qëndroi me ta dhe u bë pjesë e familjes.
Ata tregojnë se ai jetoi për afro dy vjet në shtëpinë e tyre, i quante “mami” dhe “baba”, ndërsa krijoi një lidhje të ngushtë edhe me dy djemtë e çiftit. Kontakti i fundit personal me të, sipas tyre, ishte gjatë një udhëtimi në Evropë në vitin 2019.
Sipas tyre, gjatë gjithë kohës që jetoi me familjen amerikane, Ahmadzai nuk kishte shfaqur sjellje që të ngrinin dyshime për një prirje kriminale.
Pas këtyre ngjarjeve ai u largua nga Kabuli, duke kaluar përmes Pakistanit, Iranit dhe Turqisë. Udhëtimi drejt Evropës zgjati rreth 45 ditë dhe, sipas tij, dy përpjekje për të kaluar detin drejt Greqisë dështuan pasi mjetet lundruese u fundosën. Ai mbërriti përfundimisht në Lesbos në vitin 2016.
Më vonë, Ahmadzai u konvertua në besimin e krishterë dhe u angazhua në organizata humanitare me karakter fetar. Pikërisht në këtë ambient njohu edhe bashkëshorten e tij, amerikanen Aleena Hall, e cila kishte ardhur në Greqi si vullnetare. Çifti nisi lidhjen në vitin 2021, u martua dy vite më vonë dhe këtë vit solli në jetë fëmijën e parë.
Në të njëjtin rrjet organizatash humanitare bënte pjesë edhe Elizabeth Jane Ross. Misionarja britanike jetonte në një apartament të administruar nga organizata “Love Every Nation Athens”, ku, sipas hetimeve, edhe Ahmadzai me bashkëshorten kishin akses.
Prokuroria greke dyshon se më 15 korrik 26-vjeçari vrau 38-vjeçaren dhe më pas fshehu trupin e saj në një valixhe, të cilën e transportoi deri në një ndërtesë të braktisur në Athinë.
Sipas mediave greke, një rol të rëndësishëm në zbardhjen e çështjes ka luajtur bashkëshortja e tij. Ajo dyshohet se u alarmua pasi vuri re lëvizjet e pazakonta të burrit gjatë natës dhe më pas e gjeti atë në apartamentin ku jetonte viktima. Pas zbulimit të trupit, ajo u largua nga banesa së bashku me foshnjën e tyre dhe kontaktoi autoritetet.
Fillimisht, Ahmadzai mohoi autorësinë e krimit. Në dëshminë e dhënë në polici ai pretendoi se e kishte gjetur britaniken të pajetë dhe, i pushtuar nga paniku, kishte ndërmarrë veprime të cilat nuk arriti t’i shpjegonte bindshëm.
“Unë nuk i kam bërë kurrë keq askujt. Dua vetëm të më besoni. U frikësova dhe humba kontrollin”, citohet të ketë deklaruar ai.
Megjithatë, gjatë paraqitjes para gjykatës, ai nuk dha asnjë shpjegim të mëtejshëm, duke zgjedhur të mos flasë. Pas kësaj, gjykata vendosi lënien e tij në paraburgim, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar me saktësi rrethanat e vrasjes dhe rolin e secilit person të përfshirë në këtë ngjarje.











