Në pritje të analizave përfundimtare, qytetarët e Gostivarit vazhdojnë të blejnë ujë të ambalazhuar për nevojat e përditshme. Kriza, përveç pasojave shëndetësore, ka sjellë edhe kosto shtesë për familjet dhe ka ngritur pikëpyetje serioze për përgjegjësinë e institucioneve në garantimin e një prej nevojave themelore të qytetarëve – ujit të sigurt për pije.
Në temperatura të larta, qytetarët e Gostivarit për më tepër se tri javë vazhdojnë të mos kenë ujë të sigurt për pije. Edhe pse institucionet raportojnë për përmirësim gradual të cilësisë së ujit, ai ende lejohet të përdoret vetëm për qëllime teknike, ndërsa qytetarët presin tri analiza të njëpasnjëshme negative për të hequr plotësisht ndalimin. Kriza e ujit në Gostivar nisi në fund të qershorit, kur në sistemin e ujësjellësit dyshohet se ka hyrë ujë i kontaminuar. Sipas të dhënave nga hetimi, në rrjet ishin vendosur pompa në mënyrë të paligjshme, përmes të cilave ujë nga lumi Vardar dyshohet se është futur drejtpërdrejt në rrjetin e furnizimit.
Kontaminimi mikrobiologjik u shoqërua me praninë e baktereve koliforme dhe Escherichia coli, ndërsa rastet e para të helmimit u regjistruan më 13 korrik. Më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ndaloi përdorimin e ujit për pije dhe gatim.
Për rastin Prokuroria Themelore Publike në Gostivar hapi procedurë hetimore për vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës. Në kuadër të hetimit u arrestuan drejtoresha e ndërmarrjes publike “Komunalec”, Artana Asani, si dhe dy drejtues të tjerë, të cilëve iu caktua masa e paraburgimit. Pas shpërthimit të krizës, numri i qytetarëve që kërkuan ndihmë mjekësore kaloi 4.700. Ata kryesisht raportuan simptoma të infeksioneve gastrointestinale, dhimbje barku dhe diarre. Autoritetet shëndetësore e konsideruan situatën një nga epidemitë më të mëdha të këtij lloji në rajon. Sipas drejtuesve të institucioneve përgjegjëse, gjendja shëndetësore gradualisht po përmirësohet dhe numri i pacientëve të hospitalizuar ka rënë. Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Gostivar, Emri Bajrami, ka konfirmuar uljen e ndjeshme të numrit të pacientëve të shtruar.
Megjithatë, shqetësimi për pasojat shëndetësore nuk është mbyllur. Autoritetet po ndjekin edhe mundësinë e shfaqjes së hepatitit te personat që kanë qenë të ekspozuar ndaj ujit të kontaminuar. Ndërkohë, kreu i Shtabit Kryesor për Menaxhimin e Krizave, Stojançe Angellov, dhe ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, kanë bërë të ditur se uji ende nuk mund të përdoret për pije. Për heqjen e plotë të ndalesës kërkohen tri analiza të njëpasnjëshme që duhet të rezultojnë negative.











