Pasi u larguan nga Kryeministria, përplasjet e ashpra mes protestuesve dhe forcave të rendit u përhapën në akse të tjera kryesore të kryeqytetit.
Situata ka shënuar një tjetër përshkallëzim të rëndë te godina e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, ku protestuesit i kanë vendosur zjarrin hyrjes kryesore të këtij institucioni, shkruan A2.
Flakët u neutralizuan nga hedhja e ujit nga makina e policisë
Makinat e mediave që po transmetojnë drejtpërdrejt protestën janë sulmuar me gurë, në një moment tensioni gjatë zhvillimeve në terren.
Protesta është shoqëruar me tensione dhe akte dhune, ndërsa gjatë zhvillimeve të fundit në qytet janë raportuar edhe djegie dhe dëmtime të pronës
Sipas gazetarit të A2 CNN, përveç përballjeve me policinë, protesta ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në biznese private. Disa banka të nivelit të dytë janë shkatërruar, ndërsa dokumente dhe orendi nga ambientet e tyre kanë përfunduar në rrugë. Dëmtime janë konstatuar edhe në disa filiale të kompanive celulare, veçanërisht në zonën e Piramidës dhe në rrugën e Elbasanit.
Dëme kanë pësuar gjithashtu kioska dhe biznese përgjatë itinerarit të protestuesve. Dy kioska në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë djegur, ndërsa raste të ngjashme janë raportuar edhe në rrugën e Elbasanit.
(A2 Televizion)











