Një nxënës i klasës së gjashtë ka humbur ndjenjat gjatë një loje të rrezikshme me një bashkëmoshatar në zhveshtoren e një shkolle fillore në Beograd, raportojnë mediat serbe, përcjell tetova1
Sipas informacioneve jozyrtare, ngjarja ka ndodhur paraditen e 14 tetorit, gjatë orës së edukatës fizike. Në incident janë përfshirë dy nxënës 12-vjeçarë nga e njëjta klasë.
Raportohet se njëri prej djemve ka humbur ndjenjat pasi shoku i klasës e ka kapur për qafe. Më pas, atij i ka rrjedhur gjak nga hunda. Një nxënës tjetër ka kërkuar ndihmë dhe ka njoftuar mësuesin e edukatës fizike.
Mësuesi ka reaguar menjëherë, ndërsa për rastin janë njoftuar drejtori i shkollës, polici përgjegjës për shkollën dhe shërbimet e urgjencës.
Ekipi i Ndihmës së Shpejtë ka mbërritur në shkollë dhe e ka transportuar të miturin në një spital për fëmijë, i shoqëruar nga nëna e tij. Sipas raportimeve, djali kishte rifituar vetëdijen, ndërsa në spital ishin paraparë ekzaminime të mëtejshme dhe vlerësimi i gjendjes së tij shëndetësore.
Ndihmë mjekësore i është ofruar edhe nxënësit tjetër, i cili pas incidentit ishte tronditur rëndë.
Deri më tani, në informacionet e publikuara nga mediat nuk janë dhënë detaje të tjera për gjendjen shëndetësore të 12-vjeçarit të shtruar në spital./tetova1.mk
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












