Ndërsa ndryshimet klimatike dhe thatësirat po i çojnë familjet afgane drejt urisë, shumë prindër ndihen të detyruar t’i sakrifikojnë vajzat e tyre për të shpëtuar pjesën tjetër të familjes. Fotografia Elise Blanchard udhëtoi nëpër Afganistan dhe takoi vajza vetëm 8, 10 dhe 14 vjeçe, të fejuara ose të martuara për të shlyer borxhet dhe për të siguruar ushqim
“Nuk jam e lumtur për këtë”, thotë Khatira, 11 vjeçe, e cila u fejua pa dëshirën e saj për të shlyer borxhet e familjes. Ajo ndodhet në shtëpinë e saj në Qala-e-Naw, kryeqyteti i provincës Badghis, në veriperëndim të Afganistanit. “Para fejesës ishte e shëndetshme, ndërsa tani është e shqetësuar dhe qan shumë”, thotë nëna e saj 40-vjeçare, Noor Bibi.
Kur i fejuari 20-vjeçar vjen në shtëpinë e saj, Khatira largohet me vrap. Që nga fejesa, ajo nuk del më jashtë, sepse, siç shpjegon e ëma, “i vjen turp të ketë burrë, ndërsa vajzat e tjera të moshës së saj nuk janë të martuara”.
Babai i Khatirës kultivonte grurë dhe mbante bagëti, para se familja të detyrohej të largohej nga fshati i saj për shkak të thatësirës.
Në provincën Badghis, 95 për qind e popullsisë mbijeton falë bujqësisë që varet nga reshjet e shiut dhe blegtoria. Por thatësirat, që po bëhen më të shpeshta dhe më të ashpra për shkak të ndryshimeve klimatike, ua kanë shkatërruar banorëve burimet e të ardhurave.
Si pasojë, dhënia e vajzave të mitura për martesë është bërë një mënyrë e zakonshme për të përballuar krizën. Familjet e bëjnë këtë për të shlyer borxhet, për të siguruar ushqim ose për të paguar trajtimet mjekësore.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.











