Opens in a new tab
Trendy
Tetova1Tetova1
Lajmi

Vrasjet në Bit Pazar, vepër kriminale e kryer nga qarqet serbo-maqedone

Vrasjet në Bit Pazar, vepër kriminale e kryer nga qarqet serbo-maqedone

Partia Demokratike Popullore, në pres-konferencën e mbajtur më 19 nëntor 1992, deklaroi se rasti i Bit Pazarit “ishte skenar i pushtetit të Maqedonisë” me qëllim të internacionalizimit të pranimit ndërkombëtar të shtetit. Sipas vlerësimit të PDP-së, kjo ngjarje përbënte një demonstrim forcash me disa qëllime: në kuadër të brendshëm të tregojë se kush është fuqia dominante; të krijojë efekte psikologjike në masë; dhe njëkohësisht të rrisë ndikimin e bllokut politik maqedonas

Nga Qerim LITA

(vijon nga dje)

Ngjarjet e Shkupit, sipas kryetarit të Forumit Demokratik për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Maqedoni, me seli në Gostivar, Milaim Fejziu, përbënin “vazhdimësi të veprimeve të organeve të pushtetit”, sidomos të organeve për Punë të Brendshme, përkatësisht të policisë, ndaj shqiptarëve. Sipas vlerësimit personal të tij, por edhe të Forumit që ai drejtonte, policia jo vetëm që i kishte tejkaluar kompetencat ligjore, por “ka bërë edhe keqpërdorim të rëndë të tyre”, duke vrarë njerëz të pafajshëm dhe duke shtënë me armë nëpër shtëpi e vendbanime, me ç’rast janë shqetësuar qytetarët. “Është vlerësim që e tërë kjo është bërë me tendencë për të destabilizuar edhe më tej pozitat e shqiptarëve në Maqedoni. Pra, bëhet fjalë për një aksion policor që merr përmasa dhe dimensione shumë më të gjëra se sa mund të vlerësohet në këtë moment”, thekson ndër të tjera Milaim Fejziu në intervistën dhënë për “Flakën e Vëllazërimit”. Është me rëndësi të theksohet se, nga ana e Forumit Demokratik për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (FDMDLNJ), më 2 shkurt 1993 u depozitua para organeve gjyqësore të Republikës së Maqedonisë një aktpadie kundër Lubomir Fërçkovskit dhe gjashtë nëpunësve tjerë të Ministrisë për Punë të Brendshme, për kryerjen e dhjetë veprave penale:

“Vrasje, sipas nenit 37 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë; lëndim i rëndë trupor, në bazë të nenit 43, alinea 1 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë; arrestime në mënyrë kundërligjore, sipas nenit 53, alineat 1 dhe 3 të Kodit Penal; detyrim i arrestuarve për dhënie deklaratash, në bazë të nenit 56, alinea 1 të Kodit Penal; keqpërdorim i pozitës – maltretime ndaj qytetarëve, sipas nenit 56 të Kodit Penal; rrezikim i sigurisë, në bazë të nenit 57 të Kodit Penal; shkelje e paprekshmërisë së banesës, sipas nenit 58, alinea 2 të Kodit Penal; bastisje kundërligjore, në bazë të nenit 59, alinea 1 të Kodit Penal; dhënie e dëshmisë së rrejshme, sipas nenit 196 të Kodit Penal; rrezikim i jetës dhe pasurisë së qytetarëve duke keqpërdorë mjetet shoqërore, sipas nenit 231, alinea 1 të Kodit Penal”.

Shoqata e Gruas Shqiptare në Maqedoni, e prekur thellë me faktin që incidenti i 6 nëntorit filloi me një të mitur nga të shumtët në tregun e zi të Shkupit, shprehte protestën e saj kundër dhunës, rezultat i së cilës ishin katër viktime, kundër deklaratave “mospërfillëse të kompetentëve”, të cilët sillen me neglizhencë ndaj jetës njerëzore. Në të njëjtën kohë, ajo ishte e brengosur për ardhmërinë e fëmijëve shqiptarë, për të cilët ajo dëshironte perspektiva tjera e jo “tregun e zi dhe kampet e refugjatëve”. Shoqata Humanitare “El Hilal”, duke u thirrur në emër të humanitetit, protestonte kundër sjelljes së MPB-së, e cila pas qetësimit të situatës “me aksionin e vet shkaktuan humbjen e 4 personave të pafajshëm”. Me një reagim të përbashkët kundër dhunës policore maqedonase në Shkup, dolën degët e PPD-së, PDP-së dhe të LDK-së në Danimarkë, në të cilin thuhej: “Me keqardhje po konstatojmë se nga të gjithë vendet e ish-bllokut socialistë, vetëm në Serbi është shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve. E njëjta gjë tani së fundi ndodhi edhe në Maqedoni, ku me armë u qëlluan pikërisht shqiptarët. Jemi plotësisht të bindur se pas kësaj qëndron dora e fshehtë e Serbisë, e infiltruar në instancat shtetërore maqedonase, me qëllim nxitje konfliktesh mes shqiptarëve dhe maqedonasve…”.

Ndërkohë, Partia Demokratike Popullore, në pres-konferencën e mbajtur më 19 nëntor 1992, deklaroi se rasti i Bit Pazarit “ishte skenar i pushtetit të Maqedonisë” me qëllim të internacionalizimit të pranimit ndërkombëtar të shtetit. Sipas vlerësimit të PDP-së, kjo ngjarje përbënte një demonstrim forcash me disa qëllime: në kuadër të brendshëm të tregojë se kush është fuqia dominante; të krijojë efekte psikologjike në masë; dhe njëkohësisht të rrisë ndikimin e bllokut politik maqedonas. Gjatë konferencës, sekretari i përgjithshëm i partisë, Bedredin Ibrahimi, theksoi se provokimi i konfliktit “u realizua shumë lehtë”, duke pasur parasysh disponimin e krijuar, sidomos pas vazhdimit të mbledhjes së 41-të, ku u “trasuan idetë tejet fashizoide dhe u theksua se ndaj shqiptarëve nuk duhet të lëshohet pe”, madje edhe për ato kërkesa që i përkasin “lirive dhe të drejtave elementare njerëzore, të cilat janë të pakontestueshme edhe në Afrikë”. Ai shprehu habinë e tij dhe të partisë së tij që pas gjithë ngjarjeve të 6-7 nëntorit në lagjet shqiptare të Shkupit “ende nuk është marrë përgjegjësi morale, objektive dhe ligjore”, çka në shtetet më të thjeshta praktikohet pa vonesë. Duke u nisur nga kjo, ai vlerësoi se Maqedonia nuk mund të ekzistojë si shtet unitar, përkatësisht “Parlamenti nuk mund të funksionojë pa mekanizma konsensual dhe se pa një mekanizëm mbrojtës nuk mund të realizohen as të drejtat kushtetuese, si p.sh. e drejta e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe”.

Me rastin e ngjarjeve tragjike të Bit Pazarit, reagoi edhe Qeveria shqiptare, e cila përmes zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, shprehu shqetësimin e thellë dhe protestoi në mënyrë sa më energjike ndaj veprimeve të policisë maqedonase, duke i cilësuar ato si antidemokratike dhe në kundërshtim me rrjedhat demokratike në Evropë dhe më gjerë.

“Popullata shqiptare në Shkup”, theksohej në reagim, “me qetësi dhe në mënyrë korrekte demonstroi kundër dhunës së ushtruar ndaj të riut 14-vjeçar, bashkëkombës i tyre, i cili u përball me përdorimin e armëve të zjarrit, gazit lotsjellës dhe forcave policore maqedonase. Në këto përplasje humbën jetën katër qytetarë, prej të cilëve tre shqiptarë dhe një person ende i paidentifikuar, u plagosën 30 të tjerë dhe u arrestuan 80 shqiptarë.

Në një kohë kur plagët e luftës kanë përfshirë Bosnjë-Hercegovinën, ekziston rreziku që ato të shtrihen në Kosovë dhe më tej, dhe ky akt i dhunës ndez tensionet në rajonin tonë, duke i shërbyer qëllimeve të mbrapshta të qarqeve shoviniste maqedonase. Në të njëjtën kohë, ai jep mbështetje qarqeve serbomadhe në krimet e tyre në Bosnjë-Hercegovinë dhe kundër shqiptarëve në Kosovë.

Duke shprehur shqetësimin dhe indinjatën e vet ndaj këtyre veprimeve të papërgjegjshme, qeveria shqiptare dhe opinioni publik shqiptar kërkojnë dhe shpresojnë që qeveria maqedonase të identifikojë përgjegjësit dhe t’u japë atyre dënimin e merituar. Në të kundërtën, kjo do të dëmtojë marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni, nuk do t’i shërbente përmirësimit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe do ta përkeqësonte më tej situatën tashmë të tensionuar në rajonin e Ballkanit”.

Më 11 nëntor 1992, në Vjenë, Shqipëria protestoi në Forumin e KSBE-së për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, për shkak të ngjarjeve në Bit Pazar të Shkupit. Në këtë forum, u vlerësua se me dhunën e ushtruar nga autoritetet policore janë shkelur të drejtat e shqiptarëve në atë ish-republikë jugosllave. Shefi i delegacionit shqiptar, Zef Mazi, iu drejtua Forumit të KSBE-së duke e cilësuar këtë dhunë si antidemokratike dhe në kundërshtim me tendencat drejt demokracisë në Evropë. Ai kërkoi nga Forumi që të ndërmarrë masa për të siguruar që Maqedonia t’i respektojë parimet dhe normat e KSBE-së.

Ngjarjet në Bit Pazar të Shkupit, sipas ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Safet Zhulali, përbënin “një vepër kriminale të kryer nga qarqet serbe”. Ai theksoi se qeveria maqedonase duhet t’i zbulojë dhe të publikojë autorët e kësaj masakre, si dhe duhet të zbulojë e publikojë vrasjet e katër shqiptarëve në Shkup”. Këtë vlerësim të tij dhe të Qeverisë shqiptare, ministri Safet Zhulali e shpalosi gjatë vizitës zyrtare në Maqedoni më 26-27 nëntor 1992, ku pati takime të veçanta me kryeministrin Branko Cërvenkovski, kryetarin e Parlamentit Stojan Andov dhe presidentin Kiro Gligorov.

Ngjarjet tragjike të Bit Pazarit u pritën me pezëm dhe indinjatë nga shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë. Korrespodenti i “Flakës së Vëllazërimit” në Prishtinë, Blerim Shala, shkruante se më 6 dhe 7 nëntor 1992 “e tërë Kosova ishte sy e vesh ndaj Shkupit”, ku nga atje vinin lajme për ngjarje të rënda që përfunduan me viktima njerëzore. Këto ngjarje u dënuan ashpër nga i tërë faktori politik dhe shtetëror kosovar i asaj kohe. Lidhja Demokratike e Kosovës, në kumtesën e lëshuar menjëherë pas ngjarjeve tragjike, vlerësonte se “ndërhyrja brutale e policisë maqedonase në Bit Pazar”, e cila shkaktoi vdekjen e katër personave, si dhe rrahje, arrestime dhe dënime për dhjetëra të tjerë, “është një bilanc i paracaktuar i dhunës që ushtron policia maqedonase ndaj shqiptarëve në Maqedoni”.

Vlerësimi i përgjithshëm i LDK-së ishte se përmes ngjarjeve të Shkupit u synua ndëshkimi i shqiptarëve, të cilët deri atëherë kishin përpjekur të zgjidhnin problemet dhe statusin e tyre përmes dialogut qytetar dhe parlamentar, pa dhënë asnjë shkas për dhunë nga organet maqedonase. Shqiptarët e Maqedonisë kanë dhënë prova të shumta se janë për ruajtjen e stabilitetit të Maqedonisë dhe rajonit në përgjithësi.

“Veprimet e policisë maqedonase dhe tendenca për t’i trajtuar shqiptarët si qytetarë jolojalë dhe të pabarabartë në Maqedoni”, theksohej në komunikatën e LDK-së, “krijojnë hapësirë për ekspansionin serb dhe veprimet e forcave të djathta nacionaliste maqedonase, të cilat janë paralajmëruar nëpër tubime publike të disa partive dhe grupeve politike maqedonase. Dëshirojmë që këtyre veprimeve t’u jepet fund dhe aktorët e tragjedisë në Shkup të marrin përgjegjësinë e duhur. Mendojmë se dhuna ndaj shqiptarëve nuk mund të jetë mjet që kontribuon në stabilitetin e Maqedonisë dhe marrëdhënieve midis dy popujve fqinj, dhe në këtë kontekst edhe në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë”.

Në të njëjtën kohë reagoi edhe Partia Fshatare e Kosovës, e cila në reagimin e saj theksonte se ngjarjet e Bit Pazarit në Shkup, ku u vranë mizorisht pas shpine Safet Sejfullahu, Shemsedin Ibrahimi dhe Sulejman Memishi nga shteti “juridik” i Maqedonisë, “u pritën me indinjatë dhe pezëm nga i gjithë populli shqiptar i Republikës së Kosovës”. Kryesia e PFK-së dënoi ashpër këtë akt të rëndë dhune nga policia maqedonase dhe aleatët e saj, duke theksuar se vrasjet dhe terrori mbi shqiptarët në këtë trevë janë bërë dhe po bëhen me paramendim. Për këtë arsye, PFK kërkonte që pushteti i Maqedonisë të shqyrtojë me seriozitet dhe të sqarojë këtë sjellje brutale, si dhe të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj atyre që po shuan me plumba jetët e pafajshme”.

Reagime pati edhe nga partitë tjera të Kosovës, si Partia Social Demokratike e Kosovës, Partia Liberale e Kosovës, Partia Popullore Shqiptare me seli në Prishtinë etj. Lidhja Demokratike e Malit të Zi, dega e Ulqinit, në komunikatën e saj theksonte: “Ndërsa forcat progresive botërore bëjnë përpjekje maksimale për të zgjidhur çështjet tragjike në territorin e ish-Jugosllavisë, jemi dëshmitarë se këto përpjekje dhe sakrifica paqedashëse morën një goditje të rëndë tragjike në ditët e fundit në Shkup. Ne, anëtarët e Lidhjes Demokratike të Malit të Zi, dega e Ulqinit, jemi thellësisht të indinjuar nga akti i dhunës dhe terrorit ndaj popullit liridashës dhe të pambrojtur shqiptar”.

Ndryshe nga partitë shqiptare, partitë maqedonase dhunën policore në Bit Pazar e konsideronin si një përplasje “midis kontrabandistëve dhe tregtisë së paorganizuar me policinë”. Ky qëndrim u shpalos nga Forcat Reformiste – Partia Liberale në konferencën për shtyp të mbajtur më 10 nëntor 1992. Si partia e tretë më e madhe maqedonase pas VMRO-DPMNE-së dhe Lidhjes Social Demokrate, Forcat Reformiste refuzuan të pranonin “motive të caktuara” që incidenti i Bit Pazarit kishte prapavi politike. Përkundrazi, ajo theksoi se kjo ngjarje ishte e orientuar kundër pranimit ndërkombëtar të Maqedonisë dhe do të ndikonte negativisht në të gjithë qytetarët, duke shkaktuar tensione të shtuara, pasiguri dhe frikë. Duke iu referuar sjelljeve të dy partive politike shqiptare, PPD dhe PDP, nënkryetari i Forcave Reformiste, Risto Ivanov, deklaroi se po shkohej gjithnjë e më shumë drejt mbështetjes së ekstremistëve shqiptarë. Ai shtoi se, megjithëse Partia Demokratike Popullore më parë kishte paralajmëruar se nuk do të merrte pjesë në qeverinë e koalicionit, përfaqësuesit e PPD-së dhe të PDP-së vazhdojnë të marrin pjesë në punën e Qeverisë dhe Kuvendit, pa u distancuar nga deklarata televizive e Sami Ibrahimit, e cila, sipas Ivanovit, shprehte “përbuzje ndaj përpjekjeve për zhvillimin demokratik dhe prosperitetin e Republikës, duke u konsideruar paradoksale”.

Në të vërtetë, ngjarjet e Bit Pazarit, siç shkruante lideri i Forcave Reformiste, Stojan Andov, në librin e tij të referuar më lartë, ishin objekt i debatit brenda udhëheqjes më të ngushtë të partisë së tij, ku dolën dy këndvështrime të ndryshme. Sipas së parës, demonstratat ishin organizuar nga aktivistë të lidhur me “qendrat e ekstremistëve shqiptarë” jashtë Republikës së Maqedonisë. Këto “qendra” kishin për qëllim komprometimin e Maqedonisë, e vetmja nga ish-republikat jugosllave që arriti pavarësinë në mënyrë paqësore, pa konflikt të armatosur. “Vrasja e katër qytetarëve”, sipas këtij këndvështrimi, duhej të shërbente si paralajmërim se “viktimat janë të mundshme dhe të pashmanguara” edhe në Maqedoni, duke nxitur konflikt ndëretnik. Andov shton se, për shkak të mosbesimit që këto qendra kishin ndaj PPD-së, ose nga dëshira për ta ruajtur partinë nga komprometimi para opinionit maqedonas, PPD-ja qëndroi larg përfshirjes në ngjarjet e përgjithshme. Ndërkohë, sipas këndvështrimit të dytë, ngjarjet në Bit Pazar u vlerësuan ndryshe: ato “vetëm në mënyrë indirekte” kishin një karakter ndëretnik, por më tepër kishin natyrë kriminale sesa politike. “Disa anëtarë të udhëheqjes sonë më të ngushtë partiake”, shkruan Stojan Andov, “mendonin se ngjarjet ishin vetëm ‘maja e luftës së dy mafive’ apo dy grupeve brenda të njëjtës mafi”, që konkurronin për kontrollin e tregtisë së rishitjes dhe kontrabandës së cigareve në Shkup dhe në Maqedoni.

“Mosinteresimi për sqarimin e rrethanave dhe pasojave të ngjarjeve në Bit Pazar u komentua si rezultat i një marrëveshjeje eventuale mes aktorëve kryesorë në konflikt për ndarjen e tregut. Në atë mbledhje të udhëheqjes më të ngushtë të partisë nuk arritëm në një konkluzion të prerë, duke vlerësuar se koha do të sjellë përgjigjen e duhur për këtë çështje që na shqetëson. Me të vërtetë, një muaj e gjysmë pas ngjarjeve, në të gjitha tregjet mund të shihej se si fëmijë, të rinj e të moshuar merreshin me rishitjen dhe kontrabandën e cigareve. Kështu u imponua një sistem i organizuar i grabitjes së pasurive shtetërore, që në vend të shkonin në buxhetin e Republikës së Maqedonisë, përfitoheshin në mënyrë të paligjshme”, shkruan ndër të tjerave, Stojan Andov.

Partia kryesore opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, në një komunikatë të lëshuar për mediat, protestonte kundër asaj që e cilësonte si “përpjekje për vendosjen e një pushteti paralel”, duke pranuar PPD-në dhe PDP-në si “faktorë që nxisin tensione dhe konflikte”. Në komunikatë theksohej se qëndrimi mbrojtës i këtyre partive ndaj “kontrabandës në të gjitha format e saj “përbënte një “sjellje antimaqedonase dhe antishtetërore”, si dhe një “rrezik për stabilitetin e shtetit”. Kjo parti, përmes një komunikate të lëshuar disa ditë më vonë, e akuzonte LSDM-në si parti e vetme që “nuk është prononcuar” për ngjarjet e Bit Pazarit, as për deklaratat e liderëve të PPD-së dhe të PDP-së. “Qeveria e kryeministrit Cërvenkovski”, theksohej në komunikatën e VMRO-DPMNE-së, “ende nuk ka dhënë një vlerësim zyrtar për këto ngjarje, ndërsa kryetari i Republikës në ditën e ngjarjeve të Bit Pazarit e la vendin dhe udhëtoi jashtë, gjë që në rrethana të tilla nuk është procedurë e zakonshme për një udhëheqës shtetëror…”. Partia tjetër e bllokut të djathtë, MAAK, e udhëhequr nga akademiku Gane Todorovski, shkonte edhe më larg, duke vlerësuar se “konflikti i armatosur” në Bit Pazar të Shkupit ishte “prodhim i indoktrinimit fetaro-shovinist që kryejnë PPD-ja, PDP-ja dhe BFI-ja”. Ajo shtonte se “ngjarjet treguan se garnitura udhëheqëse e MPB-së është e paaftë për situatën e krijuar”, dhe për këtë arsye kërkonte dorëheqjen e ministrit Fërçkovski.

Pra, siç u tha më lart, Lidhja Social Demokrate (LSDM) ishte partia e vetme që nuk u prononcua zyrtarisht për ngjarjet e dhunshme policore të 6-7 nëntorit 1992 në Bit Pazar, edhe pse ishte e qartë se ato ngjarje përbënin skenarë të parapërgatitur nga treshja më e lartë e kësaj partie: Gligorov, Cërvenkovski dhe Fërçkovski. Në fakt, qëndrimet e saj i shpalosi rreth gjashtë muaj më vonë, më 27 prill 1993, në vazhdimin e dhjetë të mbledhjes së 56-të të Kuvendit, kur deputeti i saj Nikolla Popovski lexoi konkluzionet e grupit parlamentar të LSDM-së lidhur me ngjarjet e Bit Pazarit. Në pikën nëntë të këtyre konkluzioneve thuhej:

“…Sipas vlerësimit të grupit parlamentar të LSDM-së, intervenimi i MPB-së ishte adekuat me ngjarjen dhe karakterin e saj, sepse në të ndodhi një tubim masiv, gjatë të cilit pati përdorim të armës, dhunë dhe cenim të sigurisë së vendit dhe jetës së qytetarëve. Lidhur me këtë, vlerësojmë se intervenimi ishte adekuat me karakterin e ngjarjes, por konstatojmë se gjatë intervenimit mund të kenë ndodhur edhe gabime, për shkak të shpejtësisë së ndërhyrjes, masivitetit të aksionit të ndërmarrë nga organet e punëve të brendshme, nga këndvështrimi i territorit që mbulohej dhe numrit të pjesëmarrësve në demonstratë. Gjithashtu, gabime mund të kenë ndodhur për shkak të mos-selektimit gjatë kryerjes së aksionit, veçanërisht ndaj atyre që kanë qenë në vendin e punës, nëpër dyqane në lokalitetin e Bit Pazarit, ose ata që shkonin apo ktheheshin nga puna, për të cilët kanë ndodhur privime dhe dënime të padrejta nga ana e kryerësve të drejtpërdrejtë të aksionit…”.

Ndër partitë tjera parlamentare që u prononcuan për ngjarjet e Bit Pazarit ishte edhe partia e ultranacionalistit Vladimir Gollubovski, VMRO-PD. Kjo parti vlerësoi aksionin e dhunshëm policor si “legjitim”, ndërsa protestën, respektivisht demonstratën e qytetarëve shqiptarë, e cilësoi si “reaksion brutal dhe primitiv të kontrabandistëve shqiptarë”. Ndërkaq, deputeti i pavarur Todor Petrov, i njohur për qëndrimet e tij skajshmërisht antishqiptare, në reagimin e tij theksoi se “protagonistë të vandalizmave të tilla kryesisht janë të huaj”, duke iu referuar personave nga siç shprehet“Kosova dhe Metohija në Republikën e Serbisë”, të cilët, sipas tij, në territorin e Maqedonisë “nuk kanë qëndrim ligjor e legal, as adresë vendbanimi…”.

(vijon nesër)

Shpërndaje:

Komentet

Komentet e para i shqyrton redaksia.

Bëhu i pari që komenton.

Shkruaj komentin e parë

Më shumë lajme