Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që marrëveshjet e Procesit të Berlinit, përfshirë atë për njohjen e diplomave, të zbatohen nga të gjitha vendet pjesëmarrëse, duke përmendur në veçanti Serbinë.
Kurti e ka bërë këtë deklaratë nga Shën Stefani i Malit të Zi, ku ndodhet për Samitin e Procesit të Berlinit, që mbahet më 22 tetor.
Sipas tij, Kosova i ka përmbushur detyrimet e saj në këtë proces, duke i ratifikuar të gjitha marrëveshjet e arritura.
“Në Procesin e Berlinit, Kosova i ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet, përfshirë atë për njohjen e diplomave, të cilat duhet t’i zbatojnë të gjithë, përkatësisht edhe fqinji ynë verior, Serbia”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.
Deklarata vjen pas takimit të tij me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, takimi i parë që Kurti zhvilloi në margjinat e samitit. Në këtë takim, ai i kërkoi Komisionit Evropian mbështetje proaktive për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë u nënshkrua në samitin e Procesit të Berlinit në Berlin, bashkë me dy marrëveshje të tjera: për lëvizjen e lirë me letërnjoftim dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve. Nënshkrimi u bë më 3 nëntor 2022, pas gati dy vjetësh negociatash mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kuvendi i Kosovës i ratifikoi të treja marrëveshjet në shkurt të vitit 2023. Kuvendi i Serbisë i ratifikoi më 28 prill 2023. Kështu, të dyja vendet i kanë marrë formalisht përsipër detyrimet, ndërsa kërkesa e Kurtit ka të bëjë me zbatimin e tyre në praktikë.
Çështja e diplomave mes Kosovës dhe Serbisë është e hapur prej vitesh. Në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, dy vendet arritën dy marrëveshje për njohjen e diplomave, njërën në vitin 2011 dhe tjetrën në vitin 2016. Sipas raporteve të mëparshme, marrëveshja e vitit 2016 mbeti e pazbatuar dhe procesi i certifikimit të diplomave u ngri.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












