Drejtoria e të Ardhurave Publike ka nisur kontrollet e të dhënave të siguruara nga bankat për paratë e pranuara nga jashtë nga qytetarët gjatë vitit 2021.
Kjo drejtori tanimë u ka dërguar njoftime individuale qytetarëve rezidentë në Maqedoninë e Veriut, për të cilët ka të dhëna se kanë realizuar të ardhura nga jashtë. Në njoftime, qytetarëve u kërkohet që brenda afatit të caktuar të përmbushin detyrimet tatimore të përcaktuara me ligj.
Nga DAP bëjnë të ditur se qytetarët janë informuar disa herë përmes mediave për detyrimet që lidhen me vitet e kaluara. Në rast se detyrimet nuk përmbushen vullnetarisht, institucioni paralajmëron masa ligjore për përcaktimin e tatimit. Megjithatë, DAP sqaron se jo çdo shumë e pranuar nga jashtë i nënshtrohet tatimit në Maqedoninë e Veriut. Detyrimi për deklarim vlen për të ardhurat që trajtohen sipas Ligjit për tatimin mbi të ardhurat personale.
Në këtë kategori përfshihen pagat, honoraret, shërbimet si freelancer, të ardhurat nga qiraja, fitimet nga shitja e pasurive dhe kriptovalutave, dividentët, interesat, të ardhurat nga të drejtat e autorit dhe fitimet nga lojërat e fatit.
Nga ana tjetër, paratë e pranuara si dhuratë, ndihmë familjare, hua ose përmes agjencive për transferim parashë nuk trajtohen automatikisht.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












