Trendy

A do të ketë më shumë kompetenca për komunat? Kasami paralajmëron fazë të re të decentralizimit

Para 2 orë

Procesi i decentralizimit që ka ngecur në vendnumëro në Maqedoninë e Veriut, sipas paralajmërimeve, pritet të ketë zhvillime të reja pozitive brenda këtij mandati të kryetarëve të komunave. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka bërë të ditur për gazetën KOHA se Qeveria tashmë është duke kryer analiza konkrete për të vazhduar me kalimin e kompetencave të reja drejt pushtetit lokal. Sipas Kasamit, ndryshimi i qasjes së Qeverisë ka dhënë një impuls të fuqishëm praktik, veçanërisht përmes mbështetjes direkte financiare për projektet kapitale. Kreu i komunës së Tetovës nënvizoi se ndryshimi i qasjes së pushtetit qendror ka sjellë një efekt të menjëhershëm në rritjen e kapaciteteve realizuese të komunave. Ky ndikim, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me grantet qeveritare për investime kapitale.

 

“Tashmë në Qeveri po bëhen analiza për vazhdimin e dinamikës së këtij procesi dhe unë besoj që në këtë mandate të kryetarëve të komunave do të kemi zhvillime pozitive në drejtim të marrjes së kompetencave. Ajo që dua të theksoj se me ardhjen e kësaj qeveri pati një zhvillim që ka pasur efekt të fuqishëm në zhvillimin e komunave sa i përket decentralizimit dhe ajo ka të bëjë me financimin e projekteve kapitale nga ana e qeverisë dhe komunat projektet kapitale I realizojnë përmes këtij granti që është siguruar nga qeveria. Pra, jo vetëm në aspektin formal por edhe ligjor, por edhe në aspektin real dhe praktik kjo qeveri ka filluar me thellimin e procesit të decentralizimit dhe do të vazhdojë edhe më tej thellimin”, tha për KOHA, Kasami.

Trending