Trendy

Arben Fetai edhe zyrtarisht i Dërguar Special për BE: Do të angazhohem për avancimin e integrimit evropian të vendit

Para 5 orë

Ish-zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ka njoftuar se është emëruar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në detyrën e të Dërguarit Special për Bashkimin Evropian, me seli në Bruksel.

Përmes një njoftimi publik, Fetai e cilësoi emërimin si një nder të madh, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi të rëndësishme, duke theksuar se misioni i tij do të jetë avancimi i procesit të integrimit evropian të vendit.

Sipas tij, në kuadër të detyrës së re do të punojë për forcimin e mbështetjes politike në institucionet e Bashkimit Evropian dhe në shtetet anëtare, për tejkalimin e sfidave politike e diplomatike që lidhen me procesin eurointegrues, si dhe për rritjen e pranisë dhe zërit të Maqedonisë së Veriut në Bruksel dhe në kryeqytetet evropiane.

Fetai theksoi se këtë përgjegjësi e merr pas një karriere të gjatë profesionale në Bruksel dhe përvojës së fituar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, ku, siç u shpreh ai, ka dëshmuar përkushtim ndaj perspektivës evropiane të vendit. Ai falënderoi kryeministrin dhe Qeverinë për besimin e dhënë, duke ritheksuar bindjen se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian.

“Rruga drejt Brukselit vazhdon. Me vendosmëri, me partneritet dhe me besim të plotë në të ardhmen tonë evropiane”, përfundoi Fetai në njoftimin e tij.

Trending