Trendy

BE-ja sjell “biletën unike”, udhëtimi me tren në gjithë Evropën pritet të bëhet më i lehtë

Para 1 orë

BE-ja po përgatit një ndryshim të madh në mënyrën se si qytetarët do të udhëtojnë me tren nëpër Evropë, duke prezantuar një paketë të re rregullash që synon të thjeshtojë blerjen e biletave dhe të rrisë mbrojtjen e udhëtarëve, përcjell tetova1

Në qendër të reformës është ideja e të ashtuquajturës “biletë unike”, një sistem që do t’u mundësojë qytetarëve të udhëtojnë nëpër disa shtete dhe me operatorë të ndryshëm hekurudhorë vetëm me një rezervim. Kjo do të thotë se udhëtarët nuk do të kenë më nevojë të kombinojnë bileta të ndara për secilën pjesë të itinerarit, por do të mund ta organizojnë të gjithë udhëtimin ndërkombëtar përmes një platforme dhe një pagese të vetme.

Komisioni Evropian vlerëson se ky ndryshim do ta bëjë transportin hekurudhor më të qasshëm dhe më tërheqës, sidomos në një kohë kur po rritet interesi për mënyra më ekologjike të udhëtimit. Sipas paralajmërimeve, sistemi i ri do t’u lejojë përdoruesve të krahasojnë të gjitha opsionet e disponueshme në një vend të vetëm, pa pasur nevojë të vizitojnë platforma të ndryshme kombëtare.

Përveç thjeshtimit të rezervimeve, reforma sjell edhe ndryshime të rëndësishme në të drejtat e udhëtarëve. Nëse ndodh vonesë në një pjesë të udhëtimit dhe si pasojë humbet lidhja tjetër, pasagjerët do të kenë të drejtë për mbështetje të plotë gjatë gjithë udhëtimit. Kjo përfshin transport alternativ, ridrejtim drejt destinacionit, si dhe mbulimin e shpenzimeve për ushqim dhe akomodim kur është e nevojshme.

Praktika e deritanishme, ku përgjegjësia shpesh kufizohej vetëm në segmente të caktuara të itinerarit, me rregullat e reja pritet të marrë fund, duke mbyllur boshllëqet ligjore në rastet kur udhëtimi realizohet përmes disa operatorëve.

Po ashtu, rregullorja e propozuar synon të rrisë konkurrencën në tregun hekurudhor evropian. Kompanitë e mëdha kombëtare do të detyrohen të hapin sistemet e tyre të shitjes edhe për operatorë dhe platforma të tjera. Kjo do t’u japë më shumë hapësirë edhe kompanive më të vogla, ndërsa ofertat do të shfaqen sipas kritereve objektive si çmimi dhe ndikimi ekologjik.

Hapi i radhës është që propozimi të hyjë në procedurë ligjvënëse në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Bashkimit Evropian, ku do të negociohet forma përfundimtare para miratimit të mundshëm./tetova1.mk

Trending