Pas sulmeve masive iraniane me dronë dhe raketa, Emiratet e Bashkuara po fortifikojnë infrastrukturën energjetike me struktura mbrojtëse të ngjashme me ato të përdorura nga Rusia në luftën me Ukrainën
Emiratet e Bashkuara Arabe duket se kanë nisur ndërtimin e strukturave gjigante metalike për të mbrojtur depot dhe objektet energjetike nga sulmet iraniane me dronë, në një lëvizje që ngjan me taktikat e përdorura nga Rusia gjatë luftës në Ukrainë.
Pamje të publikuara në platformën X nga mediat izraelite tregojnë atë që pretendohet të jenë “kafaze metalike” të ngritura rreth rezervuarëve të karburantit pranë aeroportit ndërkombëtar të Dubait.
Në fotografi duken struktura të pjesshme metalike mbi depozita nafte, ndërsa zona të tjera janë ende në ndërtim.
Lëvizja vjen pas muajsh sulmesh intensive iraniane me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës energjetike të Emirateve, gjatë dhe pas luftës tashmë të pezulluar mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit.
Këto struktura – të njohura joformalisht si “cope cages” – synojnë të reduktojnë dëmet nga municionet goditëse duke krijuar një barrierë fizike midis pikës së impaktit dhe objektivit kryesor.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se ato nuk janë projektuar për të ndalur raketat balistike iraniane dhe mund të kenë efekt të kufizuar edhe ndaj raketave lundruese.
Funksioni kryesor i tyre është mbrojtja ndaj dronëve kamikazë dhe municioneve me një drejtim sulmi, si dronët iranianë Shahed-136, të cilët janë përdorur gjerësisht në konflikt.
Sipas analizave ushtarake, këto “kafaze” mund të ndihmojnë gjithashtu kundër dronëve të vegjël vetëvrasës me rreze të afërt, megjithëse ky lloj kërcënimi nuk ka qenë dominues në Emirate.
Kjo është hera e parë që struktura të tilla raportohen në Emiratet e Bashkuara dhe në vendet arabe të Gjirit. Ende nuk dihet kur ka nisur ndërtimi, sa objekte po mbrohen apo sa i gjerë do të jetë programi i fortifikimit.
Në praktikë, ideja nuk është e re. Rusia ka përdorur për vite struktura metalike dhe rrjeta mbrojtëse mbi depot e naftës për të minimizuar dëmet nga sulmet e përsëritura të dronëve ukrainas, sidomos ndaj infrastrukturës energjetike strategjike.










