Trendy

Erdogan ashpërson betejën detare me Greqinë dhe Qipron

Para 2 orë

Nisma që lidhet me Egjeun dhe Mesdheun Lindor synon t’i japë presidentit Erdogan kompetencën për shpalljen e zonave ekonomike ekskluzive

Partia në pushtet në Turqi po përgatit një nismë ligjore që do t’i jepte presidentit Rexhep Tajip Erdogan kompetencën për të shpallur Zonë Ekonomike Ekskluzive deri në 200 milje detare, sipas agjencisë Bloomberg.

Projektligji, i cilësuar edhe si nisma për “Atdheun Blu”, synon të forcojë pretendimet turke mbi burimet detare, përfshirë të drejtat e peshkimit, kërkimit dhe shpimeve, si edhe mbi çështje mjedisore, përfshirë krijimin e parqeve detare.

Sipas raportimit, nisma do të zbatohej edhe në ujëra të kontestuara në Egje dhe Mesdheun Lindor, ku Greqia dhe Qiproja paraqesin pretendime ligjore që mbivendosen me ato të Turqisë.

Lëvizja shihet si përgjigje ndaj planeve energjetike të Athinës dhe Nikozisë. Ankaraja synon të tregojë se nuk mund të përjashtohet nga zhvillimet energjetike në rajon.

Megjithatë, nisma ngre çështje të rëndësishme për përputhshmërinë me të drejtën ndërkombëtare. Konventa e OKB-së për të Drejtën e Detit parashikon ZEE deri në 200 milje detare, por Turqia nuk e ka ratifikuar atë. Ankaraja kundërshton qëndrimin se ishujt kanë shelfin e tyre kontinental ose ZEE përtej ujërave territoriale.

Turqia argumenton se zonat detare duhet të përcaktohen mbi bazën e territorit kontinental. Ajo vlerëson se shtetet ishullore, si Qiproja, duhet të kufizohen në 12 milje detare, ndërsa entiteti turko-qipriot në veri të ishullit paraqet gjithashtu pretendime mbi burimet natyrore të zonës.

Shtetet e Bashkuara mbështesin vazhdimin e dialogut, ndërsa Bashkimi Evropian ka paralajmëruar më herët sanksione për aktivitetet turke të shpimit.

Bloomberg i referohet edhe çështjes së Qipros, duke kujtuar se ishulli mbetet i ndarë që nga viti 1974. Greqia e cilëson ndërhyrjen turke si pushtim, ndërsa Turqia thotë se operacioni ishte i nevojshëm për mbrojtjen e komunitetit turko-qipriot pas grushtit të shtetit të mbështetur nga junta e Athinës.

Trending