Trendy

Hantavirusi ALARMON botën/ Deri në 8 javë në intubim dhe rikuperimi! Sa muaj vazhdojnë simptomat pas infektimit?

Para 3 orë

Hantavirusi është kthyer në një nga temat më të diskutuara të ditëve të fundit, duke rikthyer frikën globale për shpërthime infektive, sidomos pas traumës së pandemisë së COVID-19. Megjithatë, ekspertët theksojnë se ky virus nuk paraqet rrezik për një pandemi të ngjashme me koronavirusin.

Alarmi është shtuar pas rasteve të raportuara në anijen turistike “MV Hondius”, ndërsa vëmendja është përqendruar te virusi i Andeve, një variant i hantavirusit që haset kryesisht në Amerikën e Jugut.

Edhe pse nuk konsiderohet kërcënim global si COVID-19, hantavirusi mbetet tepër i rrezikshëm për shkak të shkallës së lartë të vdekshmërisë dhe mungesës së një vaksine apo trajtimi antiviral specifik. Sipas specialistëve, periudha e inkubacionit mund të zgjasë deri në tetë javë, çka e bën më të vështirë kontrollin dhe diagnostikimin në kohë.

Kur infeksioni përparon në sindromën kardiopulmonare të hantavirusit (HCPS), pacientët mund të përballen me komplikacione serioze respiratore dhe kardiovaskulare, duke kërkuar trajtim intensiv urgjent.

Një studim i realizuar nga studiues të Pontificia Universidad Católica de Chile ka ndjekur 21 pacientë të mbijetuar nga virusi i Andeve për një periudhë 3 deri në 6 muaj pas infektimit. Rezultatet treguan se mbi 60% e tyre nuk ndiheshin ende plotësisht të shëruar.

Pacientët raportuan simptoma të vazhdueshme si lodhje kronike, pagjumësi, ankth, probleme me kujtesën, rënie flokësh, ankthe dhe vështirësi në lëvizje. Në rastet më të rënda u evidentuan më shpesh takikardia dhe problemet motorike.

Sipas studimit, rikuperimi i zgjatur nuk lidhej vetëm me pacientët që kishin kaluar gjendje kritike, pasi edhe persona me forma më të lehta të infeksionit vazhdonin të kishin probleme shëndetësore për muaj të tërë.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga studiuesit ishte mungesa e rehabilitimit pas daljes nga spitali. Shumë pacientë, sidomos ata me simptoma më të lehta, u detyruan të vetë-mjekoheshin me qetësues, pilula gjumi dhe vitamina. Studimi tregoi gjithashtu se gati 20% e të prekurve nuk ishin rikthyer ende në punë apo shkollë gjashtë muaj pas sëmundjes, ndërsa disa prej tyre raportuan edhe stigmatizim social për shkak të frikës së të tjerëve nga infektimi.

Trending