Ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e atëhershëm të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se kanë dhënë urdhër politik për ndërhyrjen e Policisë ndaj protestuesve më 5 tetor, gjatë protestës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Në Debat Plus, Haradinaj ka thënë se ndërhyrja ndodhi një natë para skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar atë si vendim politik.
“Priti deri një natë para skadimit të afatit dhe dha urdhër politik policisë për të ndërhyrë, me iu tregu ligjin. E kujt po ia tregon ligjin, atyre që po lypin ligj”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka thënë se protestuesit kishin dalë në rrugë për të kërkuar zbatimin e ligjit dhe jo për të kërkuar diçka të jashtëligjshme.
“E qeveria që i merr pagat prej taksave të këtyre njerëzve”, është shprehur ai, duke kritikuar mënyrën se si u trajtuan protestuesit.
Haradinaj ka thënë se e respekton Policinë dhe pjesëtarët e saj, por ka kritikuar atë që e ka cilësuar si ndërhyrje të urdhëruar politikisht.
“Policia duhet ta bëjë një dallim mes qeverisjes dhe sundimit. Vërtetë duhet të sundojë rendi e ligji, por nuk duhet të sundojë politika kundërligjshëm, përmes mekanizmave të rendit e ligjit”, ka deklaruar ai.
Haradinaj ka shtuar se protestuesit, të cilët sipas tij po kërkonin zbatimin e ligjit, u përballën me gaz lotsjellës dhe dhunë.
“Sundimtari i detyroi ata njerëz me plagë e vuajtje e trauma, për tri javë ditë me i ardhë para zyrës, në vend me ua dhënë ligjin, u dha gaz lotsjellës e dajak. E kujt është kjo qeveri, që i jep dajak e gaz lotsjellës qytetarëve që po kërkojnë ligj”, ka thënë Haradinaj.
Protesta e 5 tetorit u përshkallëzua jashtë objektit të Kuvendit të Kosovës, ku protestuesit hodhën mjete piroteknike, ndërsa Policia ndërhyri me gazllotsjellës dhe ujë me presion.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












