Trendy

Ja ku është karburanti më i lirë në Greqi para sezonit veror

Para 1 muaj

Me afrimin e sezonit veror dhe rritjen e numrit të turistëve që nisen drejt plazheve greke, gjithnjë e më shumë shoferë po kontrollojnë paraprakisht çmimet e karburanteve në Greqi për të ulur shpenzimet e udhëtimit, përcjell tetova1

Sipas të dhënave më të fundit për çmimet mesatare të benzinës dhe naftës në pikat e karburantit në Greqi, dallimet mes kompanive dhe rajoneve janë të mëdha. Për këtë arsye, zgjedhja e kujdesshme e pompës së derivateve mund të sjellë kursime të konsiderueshme, sidomos për ata që udhëtojnë në distanca më të gjata.

Ndër opsionet më të lira për benzinë aktualisht veçohet kompania “Jetoil”, ku një litër benzinë kushton rreth 1,98 euro. Pak më poshtë mesatares janë edhe “Cyclon” dhe “Avin”, me çmime rreth 2,01 euro për litër.

Tek “Revoil” dhe “Shell”, çmimet e benzinës lëvizin rreth 2,02 euro, ndërsa ndër kompanitë më të shtrenjta janë “EKO” dhe “Elin”, ku një litër benzinë kalon 2,03 euro.

Dallime ka edhe te nafta. Çmimin më të ulët sërish e ofron “Jetoil”, ku një litër naftë kushton rreth 1,82 euro, ndërsa tek “EKO”, “Elin” dhe “Silk Oil” çmimet arrijnë deri në 1,94 euro për litër.

Për shoferët që përdorin gaz (LPG), më të leverdishmet janë “Jetoil” dhe “EKO”, ku çmimet lëvizin mes 1,21 dhe 1,31 euro për litër.

Ekspertët paralajmërojnë se çmimet në Greqi ndryshojnë vazhdimisht dhe varen nga disa faktorë – rajoni, afërsia me qendrat turistike, autostradat, ishujt dhe kërkesa sezonale. Për këtë arsye, shoferëve u rekomandohet që para udhëtimit të përdorin aplikacione mobile si “FuelGR” dhe “MyFuel”, të cilat tregojnë në kohë reale se ku karburanti është më i lirë.

Në krahasim me Greqinë, karburantet në Bullgari vazhdojnë të jenë dukshëm më të lira. Atje, benzina aktualisht kushton nga 1,49 deri në 1,52 euro për litër, prandaj një pjesë e shoferëve nga Maqedonia vazhdojnë të furnizohen me karburant para se të hyjnë në Greqi.

Me pritjet për rritje të fluksit veror dhe luhatjet e çmimeve në tregjet botërore, analistët paralajmërojnë se karburantet mund të shtrenjtohen edhe më shumë në periudhën në vijim. Për këtë arsye, planifikimi në kohë i udhëtimit dhe zgjedhja e pompës së duhur mund të ndikojnë ndjeshëm në buxhetin total të pushimeve./tetova1.mk

Trending