Opens in a new tab
Trendy
Tetova1Tetova1
Lajmi

Kurti mesazh të prerë nga Parisi për udhëheqjen e re serbe: Pranoni realitetin, Kosova është shtet i pavarur! Dorëzoni Radoiçiçin

Kurti mesazh të prerë nga Parisi për udhëheqjen e re serbe: Pranoni realitetin, Kosova është shtet i pavarur! Dorëzoni Radoiçiçin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar mesazh udhëheqjes së re të Serbisë nga Parisi, duke i kërkuar të pranojë pavarësinë e Kosovës, të heqë dorë nga fushata kundër njohjes së saj ndërkombëtare dhe të dorëzojë Milan Radoiçiçin, të akuzuar për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë.

Gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Paris School of International Affairs (PSIA), në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Forumin e Paqes në Paris, Kurti theksoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të kufizohet vetëm në marrëveshje politike, por duhet të përfshijë njohjen e realitetit të ri në Ballkan dhe përgjegjësinë për ngjarjet e dhunshme.

Sipas kryeministrit kosovar, ndryshimet në udhëheqjen e Serbisë duhet të shërbejnë si mundësi për një qasje të re ndaj Kosovës, duke braktisur politikat që kundërshtojnë shtetësinë e saj.

“Ky duhet të jetë gjithashtu një proces përmes të cilit qeveria e Serbisë, e cila së fundmi ka kaluar nëpër një ndryshim të udhëheqjes, të arrijë ta njohë realitetin e shekullit XXI: Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga mbi 120 shtete”, deklaroi Kurti.

Ai kërkoi që Beogradi t’i japë fund fushatës diplomatike kundër njohjeve të Kosovës dhe përpjekjeve për të penguar anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Kurti kritikoi edhe mbështetjen që Serbia merr nga Rusia, duke theksuar se Beogradi duhet të heqë dorë nga shfrytëzimi i kundërshtimit të Moskës ndaj integrimit ndërkombëtar të Kosovës.

Një tjetër çështje që kryeministri ngriti gjatë diskutimit ishte sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Kurti kërkoi që Serbia të dorëzojë Milan Radoiçiçin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, të cilin e cilësoi si organizatorin kryesor të sulmit. Radoiçiç ka pranuar publikisht se kishte marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që mori pjesë në ngjarje.

Sipas Kurtit, një proces i besueshëm normalizimi kërkon që përgjegjësit për sulmin të përballen me drejtësinë dhe që ngjarje të tilla të mos mbeten pengesë për sigurinë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.

Komentet

Komentet e para i shqyrton redaksia.

Bëhu i pari që komenton.

Shkruaj komentin e parë

Më shumë lajme