Para dy ditësh, gjatë një aksioni policor në lagjen “Bllok 70” në Tetovë, gjatë një kontrolli në një dyqan janë gjetur substanca narkotike të llojit kokainë dhe kanabis. Në pranga përfundoi një i mitur, i moshës 16–17 vjeçare, raporton Tema.mk. Sipas hulumtimeve të mëvonshme, i arrestuari dyshohet të jetë djali i ish-kryetares së Tetovës, Teuta Arifi. Pas arrestimit, me urdhër të prokurorisë është kryer edhe kontroll në banesën e saj, por pa u bërë publike asnjë informacion zyrtar lidhur me atë nëse është gjetur ndonjë provë shtesë.
Ajo që ka ngritur më shumë pikëpyetje në opinion është fakti se i mituri, pas ndalimit dhe marrjes në pyetje, është liruar menjëherë nga prokurorja e rastit, me arsyetimin se bëhet fjalë për një person të mitur.
Por a mjafton ky arsyetim për një rast kaq serioz?
Heshtja e institucioneve kompetente dhe mungesa e transparencës kanë shtuar dyshimet dhe kanë ngritur një pyetje thelbësore: kush po e mbron këtë rast nga vëmendja e publikut dhe a do të përfundojë edhe ky si shumë raste të tjera pa epilog?
Rasti në fjalë duket se po zhduket nga vëmendja publike po aq shpejt sa u bë i ditur, duke rikthyer edhe njëherë debatin mbi funksionimin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut. Në një shtet ku besimi në institucionet e drejtësisë është tashmë i brishtë, raste të tilla vetëm sa thellojnë perceptimin për standarde të dyfishta dhe mungesë përgjegjësie./Tema.mk/










