Trendy

Lufthansa anulon fluturimet e verës dhe lë pasagjerët pa alternativë: “Na ofruan vetëm rimbursim ose shtyrje”

Para 37 minuta

Kompania ajrore gjermane Lufthansa po përballet me kritika pasi ka anuluar mijëra fluturime për sezonin veror, ndërsa në disa raste u ka refuzuar pasagjerëve edhe të drejtën për një itinerar alternativ, pavarësisht rregullave europiane për mbrojtjen e udhëtarëve ajrorë.

Sipas një raportimi të The Independent, Lufthansa ka anuluar të paktën 20 mijë nisje gjatë verës, kryesisht për shkak të mbylljes së filialit rajonal CityLine dhe kostove të larta të karburantit.

Një prej rasteve është ai i Rhona Taylor, një pasagjere nga Skocia, e cila kishte rezervuar një fluturim nga Glasgou drejt Frankfurtit në muajin qershor. Fluturimi i nisjes iu zëvendësua me një tjetër nga Edinburgu, por kthimi nga Frankfurti u anulua plotësisht.

Sipas saj, Lufthansa i ofroi vetëm dy mundësi: rimbursim ose përdorim të biletës në një datë tjetër, pa i propozuar asnjë alternativë tjetër udhëtimi.

Kompania deklaroi se “nuk ekzistonte një alternativë e arsyeshme brenda grupit Lufthansa”, por autoriteti britanik i aviacionit civil tha se pasagjerët kanë të drejtë ligjore të transportohen edhe me kompani të tjera ajrore, nëse linja origjinale anulohet.

Sipas interpretimit të autoriteteve britanike, kompanitë duhet të ofrojnë itinerare alternative, përfshirë aeroporte të afërta, fluturime indirekte apo bileta me linja të tjera.

Rasti ka ngritur shqetësime të reja mbi trajtimin e pasagjerëve nga kompanitë ajrore europiane gjatë valës së anulimeve të verës.

Trending