Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se do të zhvillojë një hetim të detajuar për rastin e Stanka Mihajllovës nga fshati Banjicë i Strumicës, e cila pas lindjes me prerje cezariane në Spitalin Klinik të Shtipit ka mbetur e palëvizshme dhe tashmë lëviz me karrocë invalidore.
Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, pasi vjehrri i saj, Velibran Stojanov, përmes videove live para spitaleve në Strumicë dhe Shtip kërkoi ndihmën e ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski. Ai pretendon se një mjek nga spitali i Strumicës i ka thënë se Stanka do të mbetet e paralizuar, gjë që e shtyu të flasë publikisht për gjendjen e saj shëndetësore.
Sipas Ministrisë, me urdhër të ministrit, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor po kryen mbikëqyrje të jashtëzakonshme në tri institucionet ku pacientja është trajtuar: Spitalin e Përgjithshëm në Strumicë, Spitalin Klinik në Shtip dhe Klinikën Universitare të Neurologjisë në Shkup.
Në ditët në vijim inspektorët do të mbledhin të gjithë dokumentacionin mjekësor, pas së cilës do të përgatitet një raport profesional. Nëse konstatohen lëshime gjatë trajtimit, Ministria paralajmëron se do të ndërmerren masa përkatëse në përputhje me ligjin.
Në njoftim theksohet se gjatë procedurës do të respektohen dinjiteti, privatësia dhe e drejta për mbrojtjen e të dhënave personale dhe mjekësore të pacientes.
Sipas raportimit të “Sloboden Peçat”, Stanka gjatë muajit të fundit ka kryer më shumë se 27 kontrolle mjekësore, pa u përcaktuar ende shkaku i paraplegjisë. Familjarët pretendojnë se, megjithëse pas operacionit cezarian ishte lëshuar nga spitali me vlerësimin se ndodhej në gjendje të mirë të përgjithshme shëndetësore, ajo nuk ka mundur të ecë vetë që në momentin e largimit nga spitali.
Ministria rikujton se çdo pacient ka të drejtë për kujdes shëndetësor të sigurt, cilësor dhe në kohë, si dhe për informim të plotë mbi gjendjen e tij shëndetësore. Njëkohësisht, u bën thirrje qytetarëve të shmangin spekulimet derisa të përfundojë procedura inspektuese dhe përgjegjësia eventuale të përcaktohet vetëm mbi bazën e rezultateve të mbikëqyrjes profesi onale.










